Ilustrim

Rasti "Brezovica": Ish-kryetari i Shtërpcës akuzohet se mori mbi 1 milion euro nga biznesmenët kosovarë

Kryetar komune, drejtorë, inspektorë nga niveli lokal dhe sekretarë, inspektorë e kryeinspektor nga niveli qendror, janë pjesë e aktakuzës voluminoze të Prokurorisë së Ferizajt në rastin “Brezovica”.

Mbi 1 milion euro pretendohet të jenë marrë ryshfet në këmbim të lejeve ndërtimore në zonën e Brezovicës.

Pjesa më e madhe e këtyre parave përshkruhet të ketë përfunduar në “xhepat” e ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën voluminoze të Prokurorisë së Ferizajt, e cila akuzon 12 persona për aktivitete kriminale lidhur më lejet ndërtimore në rastin “Brezovica”.

Mbi ish-kryetarin Nikoliq rëndojnë akuzat për keqpërdorim detyre, marrje ryshfeti, ushtrim ndikimi dhe armëmbajtje pa leje.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se këto para u dhanë nga biznesmenë të ndryshëm kosovarë në këmbim të lejeve ndërtimore.

Paratë përshkruhet të jenë marrë ‘cash’ dhe në forma të ndryshme si vetura dhe vila luksoze.

Sipas aktakuzës për lëshimin e 21 lejeve ndërtimore vetëm një nga biznesmenët kishte dhënë ryshfet 210 mijë euro. Përpos këtyre 21 lejeve ndërtimore, Nikoliq akuzohet se kishte marrë ryshfet edhe në ofrimin e lejes për ndërtimin e lagjes ‘Kashtanjeva’. Për ndërtimin e kësaj lagje në zonën e mbrojtur, përshkruhet të jenë dhënë pasuri në vlerë prej 378 mijë euro.

Para të majme pretendohet të jenë marrë edhe për ndërtimin e “Stella Consulting”. Për lejimin e këtij objekti pretendohet të jenë marrë 200 mijë  euro ryshfet.

Një tjetër rast ky pretendohet se janë marrë 240 mijë euro ryshfet është rasti i ndërmarrjes “Eurosport”, ndërsa 100 mijë euro përshkruhet të jenë marrë për lejimin e ndërtimit të objektit hotelier “Rimida”.

Shuma të tjera të parave përshkruhet të jenë marrë edhe nga personat fizikë për ofrimin e lejeve ndërtimore.

Përpos ish-kryetarit Nikoliq për keqpërdorime dhe marrje ryshfeti po akuzohen edhe ish- drejtori i Urbanizmit, Dimitrije Raciceviq.

Raciceviq akuzohet se për të lëshuar 2 leje ndërtimi kishte marrë 1 veturë në vlerë 9 mijë euro. Ndërsa para përshkruhet të kenë marrë edhe inspektorët komunalë Hysni Bajrami dhe Dragomir Milosavleviq, pasi kanë lejuar ndërtimin pa leje të vilave në zonën e Brezovicës.

Para pretendohet të ketë marrë edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sasha Milosavleviq. Ai po akuzohet se si shef i kadastrës kishte marrë para për sigurimin e lejeve ndërtimore në shuma deri 30 mijë euro.

Në aktakuzë është edhe ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Arben Çitaku, ish-kryeinspektori i mjedisit Bedri Halimi dhe ish-shefi i Departamentit për mbrojtjen e mjedisit, Mustafë Hyseni.

Çitaku akuzohet se në kundërshtim me ligjin kishte dhënë pëlqimet mjedisore për ndërtimet në Brezovicë, ndërsa Halimi dhe Hyseni akuzohen se nuk kishte ndërmarrë veprime për t’i ndaluar ndërtimet në këtë zonë.

Përpos zyrtarëve pjesë e aktakuzës janë edhe personat që pretendohet të kenë dhënë ryshfet.

Hysein Ajdini sipas aktakuzës i ka dhënë 30 mijë euro ryshfet ish-kryetarit të Komunës, Bratisllav Nikoliq, për të siguruar leje ndërtimore dhe 30 mijë euro deputetit Sasha Milosavleviq.

Ndërkaq Sasha Spasiq akuzohet se ka ndihmuar të pandehurit Nikoliq për lëshimin e lejeve ndërtimore në këmbim një biznesmen t’ua ndërtonte vilat në vlerë prej 300 mijë euro. Pjesë e aktakuzës është edhe Jadran Kostiq. Ai akuzohet se ka ndihmuar Nikoliqin të marrë ryshfet në këmbim të parave.

I fundit i cili akuzohet në këtë rast është Raif Bajrami, shef i personelit të Drejtorisë së Urbanizmit. Ai akuzohet se ka marrë para nga 200 deri në 500 euro për shpejtimin e dosjes se lejeve ndërtimore.

Rasti “Brezovica” ka bërë bujë në gjithë vendin. Së fundmi Gjykata e Pejës ka vendosur për sekuestrimin e përkohshëm të 75 vilave në zonën e Brezovicës.

Ndër 75 vilat e sekuestruara përkohësisht nga Gjykata e Pejës janë edhe vilat e 3 gjyqtarëve.

Bëhet fjalë për vilën e kryetarit të Gjykatës së Ferizajt, Mustafë Tahirit.

Në këtë listë është edhe gjyqtari i Gjykatës Supreme, Agim Maliqi.

Sekuestrimit nuk i ka shpëtuar as gjyqtari tjetër, Bashkim Hyseni, i cili sot është gjyqtar në Gjykatën e Apelit. .

https://kallxo.com/lajm/rasti-brezovica-gjykata-sekuestron-vilat-e-3-gjyqtareve/