Vetura e dytë e sekuestruar e ish kryetarit të Shtërpcës, FOTO: KALLXO.com

Rasti 'Brezovica', përfundon seanca ndaj të dyshuarve

Seanca dëgjimore ndaj 10 të arrestuarve në rastin “Brezovica”, ka përdunduar në Gjykatën e Ferizajt.

Dhjetë të arrestuarit të dyshuar për afera korruptive në ndërtimin e vilave në Brezovicë ishin paraqitur dje gjatë ditës për herë të parë në Gjykatë dhe kishin kunërshtuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

KALLXO ka siguruar dosjen e hetimit lidhur me rastin e njohur si “Brezovica” ndaj 10 të arrestuarve në aksionin e djeshëm të Prokurorisë së Ferizajt, ndër ta edhe ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Nikoliq po dyshohet se në cilësinë e kryetarit të Shtërpcës nga viti 2014 deri në vitin 2018 ka pranuar ryshfet – para dhe dhurata me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në vikend-zonën e Brezovicës.

Prokuroria po pretendon se ish-kryeari Nikoliq ka pranuar 210 mijë euro ryshfet për dhënien e 21 lejeve ndërtimore për vikend-shtëpiza për investitorin “Stella Consulting”, si dhe 200 mijë euro të tjera për lejen ndërtimore të objektit hotelier “Stella Consulting”.

Me këto veprime Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprat penale – marrja e ryshfetit, dhe keqpërdorimi i detyrës.

Po ashtu, Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprën penale – ushtrimi i ndikimit, duke ndikuar në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore.

KALLXO.com nga mëngjesi i ditës se djeshme ka përcjellë dhe raportuar rreth ecurisë së këtij aksioni që është zhvilluar nga Prokuroria e Ferizajt në bashkëpunim me Departamentin e Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës.

Prokuroria e Ferizajt pas zhvillimit të aksionit mbajti një konferencë për media ku u shpalosën rezultatet e këtij aksioni.

Ish-kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq; drejtori i Urbanizmit, Dimitrije Raçiqeviq; Dragomir Milosavleviq dhe Hysni Bajrami – inspektorë të ndërtimit të Komunës së Shtërpcës; Sasha Milosavleviq, drejtor i Kadastrit të Komunës së Shtërpcës, Raif Bajrami, shef i Inspektoratit të Komunës së Shtërpcës, dy persona përgjegjës të dy kompanive dhe dy persona të tjerë që dyshohen se ndihmuan kryerësit pas kryerjes së veprës penale – u arrestuan të martën, dhe ndaj tyre është kërkuar masa e paraburgimit, ndërsa seanca do vazhdojë edhe sot në Gjykatën e Ferizajt.

Dosja e Prokurorisë për rastin “Brezovica”: Ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet se pranoi para dhe dhurata në vlerë 1 milion e 318 mijë euro