Rashit Qalaj kritikon Kurtin: Qeveria u dorëzua para Serbisë

Ish drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe tash anëtar i PDK-së, Rashit Qalaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, në lidhje me vënien e gurëthemelit për ndërtimin e të ashtuquajturit ‘Universiteti i Prishtinës’, në Mitrovicë.

Qalaj tha se qeveria që udhëheq Kurti u dorëzua sot para Serbisë, në veri të Kosovës.

“Fatkeqësisht, krekosjet e dikurshme kuq e zi e me protesta si opozitar zhurmaxhi kur futeshin njësitë speciale të policisë së Kosovës në veri te Kosovës, kur ndalej treni serb e organizoheshin zgjedhjet e Kosovës, kanë marrë fund turpësisht dhe pikërisht në momentin kur tani e ka gjithë fuqinë dhe pushtetin për të vepruar”, ka shkruar Qalaj, në ‘Facebook’.

Qalaj ka thënë se së paku, kryeministri Kurti duhet të kërkojë llogari tek ministri i Brendshëm dhe te ministrja e Arsimit.

“Është momenti që dikush të jep përgjegjësi. Duhet shkarkim i menjëhershëm i ministrit Rakiq! Ende s’duam të besojmë se Albin Kurti po e kthen Serbinë në Kosovë, edhe pse paralajmërimet janë ogurzeza – njëherë duke mos e vendosur reciprocitetin, pastaj duke larguar barrierat tregtare për materialet ndërtimore nga Serbia dhe sot me universitetin paralel serb në veri të Mitrovicës”, ka shkruar ndër të tjera Qalaj.

Serbia ka filluar ndërtimin e objektit të përhershëm të të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.

Investimi në mbi 6 milionë euro do të bëhet nga Qeveria e Serbisë përmes Zyrës për Kosovën, që funksionon në kuadër të saj.

Drejtori i kësaj zyreje Petar Petkoviq, vuri gurëthemelin për ndërtimin e kësaj ndërtese në Mitrovicën Veriore.

 

Serbia nis ndërtimin e objektit të “Universitetit të Prishtinës në Mitrovicë”