Rashiq për mbylljen e Bankës Komerciale: E kemi ditur që do të mbyllet, nuk kanë riaplikuar për licencë

Banka Qendrore e Kosovës kishte njoftuar se “Komercijalna Banka AD Beograd”, dega në Mitrovicë, ka përfunduar vullnetarisht veprimtarinë bankare të shërbimit me klientë.

Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim, ka thënë se e kanë ditur që kjo bankë, e vetmja e licencuar nga BQK, do të mbyllet.

“Ne e kemi ditur që banka komerciale do të mbyllet, unë e kam ditur qysh në vitin 2022, në shatorin e vitit të kaluar kemi marrë informatën që do të mbyllet”- tha ai.

Rashiq deklaroi se askush nga administrata nuk e ka parë të udhës që të aplikoj përsëri për licencë.

Rashiq. sot është takuar me Guvernatorin e Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili.

Guvernatori Ismaili gjatë këtij takimi ka njoftuar ministrin Rashiq për ndryshimet e fundit në Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj.

Në komunikatën e BQK-së thuhet se ministrit Rashiq i është sqaruar se “rregullorja në fjalë nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK”.

“Pra, të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në Euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet. Ndërsa, ata që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë tek secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024”- thuhet në njoftimin e BQK-së.

Gjithashtu, Guvernatori Ismaili ka bërë të ditur gjatë takimit se vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare (kredidhënëse) si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore.

“Ministri Rashiq vlerësoi lartë rolin e BQK-së dhe angazhimin e saj, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar brenda kapacitetit të tij, më qëllim rritjes së përfshirjes financiare dhe zgjerimit të mundësive për qasje financiare për të gjitha komunitetet”- thuhet në komunikatë.

BQK: Përfundon vullnetarisht veprimtaria bankare në Kosovë e “Komercijalna Banka AD Beograd”, dega në Mitrovicë