Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

Raporti i Progresit: Cilësia e kujdesit shëndetësor në Kosovë mbetet shqetësuese

Raporti i Progresit për Kosovën ka vlerësuar se cilësia e kujdesit shëndetësor në Kosovë mbetet shqetësuese dhe se përgjegjshmëria institucionale e ofruesve të shëndetit publik është e ulët.

Ky raport i shkruar nga Komisioni Europian thekson rritjen e buxhetit për shëndetësi si rritje rekord.

“Kosova akordoi një nivel të lartë rekord të buxhetit të sektorit shëndetësor në vitin 2023 (rreth 300 milionë euro), rritje prej rreth 15.6% krahasuar me vitin 2022. Financimi i shëndetësisë bazohet kryesisht në shpenzimet historike dhe nuk ka tregues të bazuar në performancë” – shkruhet në raport.

Sa i përket legjislacionit për shëndetësi, raporti ka përmendur mosndryshimin e Projektligjit për Shëndetësinë dhe Projektligjit për Sigurimet Shëndetësore. Për Strategjinë e re të Sektorit Shëndetësor 2023-2030 ceket se është hartuar por ende nuk është miratuar.

Për shëndetin mendor, sipas raportit u miratuan disa udhëzime klinike, megjithatë raporti konstaton se shërbimet e shëndetit mendor vazhdojnë të jenë shërbime të integruara.

Ligji për kontrollin e duhanit thuhet se nuk zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, megjithëse raporti shton se ka pasur një rritje të dukshme të inspektimeve për duhanpirjen në vende publike në Prishtinë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023.

Legjislacioni për gjakun, indet, qelizat dhe organet, legjislacioni për barnat për përdorim njerëzor dhe ilaçet për përdorim veterinar dhe legjislacioni për të drejtat e pacientëve në kujdesin shëndetësor ndërkufitar janë pjesërisht të përafruar me atw të Bashkimit Europian.

Raporti ka vlerësuar se pothuajse një e treta e popullsisë së Kosovës ka qasje të kufizuar në shërbimet e kujdesit shëndetësor.

“Pabarazitë në shëndetësi mbeten një problem serioz. Shtyrja e vazhdueshme e futjes së skemës së sigurimeve shëndetësore universale dhe pagesat nga xhepi mbeten shumë të larta. Kjo ndikon në qasjen në shërbimet thelbësore shëndetësore për ata që janë në situata të cenueshme, siç janë ata që jetojnë në varfëri, në zonat rurale dhe personat që i përkasin komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian” – thuhet në raportin e Komisionit Europian.

Më tej thuhet se shkalla e imunizimit rutinë të fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë në Kosovë është 50% më e vogël se te fëmijët e tjerë.

Ky raport thotë se nuk ka stimuj për t’u përmirësuar produktiviteti, efikasiteti dhe cilësia në sektor dhe përkundër një rrjeti relativisht të fortë primar që ofron shërbime pa pagesë, shpenzimet nga xhepi mbeten shumë të larta.

Jetëgjatësia e foshnjave në Kosovë është përshkruar si më e ulëta në rajon. Vdekshmëria e fëmijëve është cilësuar si problem serioz, ku 16 prej 1000 foshnjave vdesin para se të mbushin 5 vjet. Kjo shifër është tri herë më e lartë se mesatarja e BE-së.

Sëmundjet jo-ngjithëse janë konstatuar të jenë shkaku kryesor i vdekjeve, veçanërisht sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri. Ndërkaq, 33% e shkaqeve të vdekjes janë raportuar gabimisht ose nuk janë diagnostikuar, thotë raporti i Komisionit Europian për Kosovën.