Raporti i Komitetit të Helsinkit thotë se Serbia po nxit tensione në rajon, reagon Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në lidhje me një raport të hartuar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, në të cilin theksohet se Serbia vazhdimisht po nxit tensione në rajon, kurse presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq po përhap propagandë se gjoja serbët e Kosovës janë të rrezikuar.

Kurti në reagimin e tij ka thënë se ky raport është shqetësues, teksa shton se ai po ashtu ka detajuar diskriminim e udhëhequr nga shteti kundër shqiptarëve etnikë në Serbi.

“Një raport shqetësues i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut që detajon pushtetin e së djathtës autoritare në Serbi, përhapjen e propagandës së rreme rreth rrezikimit të supozuar të serbëve në Kosovë dhe diskriminimin e udhëhequr nga shteti kundër shqiptarëve etnikë në Serbi”- ka shkruar Kurti në Tëitter.

Në një pjesë të raportit të cilën e ka publikuar Kurti thuhet se Serbia po nxit tensione ndaj rajonit, demonizon fqinjët e saj, në radhë të parë shqiptarët, përhap frikën për rrezikimin e serbëve në Kosovë, duke nxitur kështu radikalizimin e shoqërisë dhe duke krijuar atmosferë që një marrëveshje me Kosovën të refuzohet.

“Në forcimin e së djathtës kontribuon edhe fakti se qeveria vazhdimisht dhe drejtpërdrejt nxit tensione ndaj rajonit, demonizon fqinjët e saj, në radhë të parë shqiptarët, përhap frikën për rrezikimin e serbëve në Kosovë (“se po përgatitet një pogrom”), duke nxitur kështu radikalizimin e shoqërisë dhe duke krijuar atmosferë që një marrëveshje me Kosovën të refuzohet. Ngjallja e frikës tek qytetarët është konstante e politikës së presidentit Vuçiq, e cila është funksion i “bashkimit” i cili, sipas fjalëve të tij, është “më e nevojshme se kurrë”- thuhet në raport.

Që nga 26 maji, është protestuar për hyrjen e kryetarëve nëpër objektet komunale në Leposaviq e Zveçan. Gjatë protestave ka pasur përplasje të pjesëtarëve të KFOR-it dhe protestuesve, ku kanë mbetur të plagosur dhe lënduar mbi 30 paqëruejtës të KFOR-it dhe disa qytetarë serbë.

Gjatë këtyre ditë, disa persona të maskuar mes protestuesve kanë sulmuar fizikisht gazetarët kosovarë të cilët kanë shkuar të raportojnë për zhvillimet nga veriu. Disa prej të dyshuarve për sulm ndaj gazetarëve janë arrestuar nga Policia e Kosovës.