Edi Rama dhe Albin Kurti, Foto: ZKM

Rama shprehet 'i shqetësuar' me zhvillimet në Kosovë, kërkon vetëpërmbajtje dhe dialog

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se është duke i ndjekur me vëmendje zhvillimet në Kosovë.

Rama përmes një postimi në Twitter, ka bërë thirrje për dialog dhe vetëpërmbajtje.

“Po e ndjekim me vëmendje të madhe e shqetësim të vërtetë situatën e acaruar në Kosovë dhe bashkohemi me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë ShBA dhe BE. Ndërkohë që mbështesim plotësisht idenë themelore të Planit Franko-Gjerman bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog”, ka shkruar ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë mbajtur konferencë për media pas zhvillimeve në veri të vendit.

Kurti tha se sjellja e Serbisë dhe situata në veri lidhet me refuzimin e shtetit serb ndaj propozimit franko-gjerman që lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Si reagim ndaj kësaj, Lista Serbe më 5 nëntor 2022 ftoi takim të jashtëzakonshëm me zyrtarë serbë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS, duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Dje, më 6 nëntor, në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletëdorëheqjet e tyre, e ndërsa sot disa nga ta janë parë edhe duke dorëzuar armët e pajisjet e tjera.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Në anën tjetër, BE dhe SHBA-të kanë kërkuar nga autoritet e Kosovës shtyrjen e vendimit për targat dhe krijimin e asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sot, deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar zyrtarisht mandatet.