Kurti për propozimin franko-gjerman: Unë nuk e kam refuzuar, por kam dhënë vërejtjet mia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë mbajtur konferencë për media pas zhvillimeve në veri të vendit.

Kurti tha se sjellja e Serbisë dhe situata në veri lidhet me refuzimin e shtetit serb ndaj propozimit franko-gjerman që lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.

“Unë e thash shumë qartë se qëllimi i Beogradit është për ta maskuar refuzimin e planit, ata e kanë refuzuar këtë plan, këtë propozim dhe tani i bëjnë këto drama që nuk duhet të shndërrohen në tragjedi. Ajo çfarë ne kemi thënë është që në kuadër të propozimit ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur sepse konceptet, nocionet janë vlera për dallim prej dakordimeve të mëhershme që ishin për brenda ideologjisë së zgjidhjes së problemit”- tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha se ai nuk e ka refuzuar planin franko-gjerman por ka dhënë vërejtjet e tij.

“Unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur. Korniza e përgjithshme e marrëveshjes ka qenë pika e parë më 18 gusht në Bruksel. Deri më tani kemi pasur dialog për proces, por jo për marrëveshje. Më 9 shtator ende pa u bërë një muaj patën ardh në zyrën time këtu e më pas shkuan në Beograd këshilltarët e lartë të presidentit Macron dhe kancelarit gjerman… Pra ata kanë sjellë përmbledhje të ideve, të modeleve të cilat unë nuk i kam refuzuar, por janë bazë e mirë. Unë i kam vërejtet e mia por unë nuk e kam kundërshtuar atë propozimin. Por në Beograd i thanë jo, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së tyre”- theksoi Kurti.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Si reagim ndaj kësaj, Lista Serbe më 5 nëntor 2022 ftoi takim të jashtëzakonshëm me zyrtarë serbë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS, duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Dje, më 6 nëntor, në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletëdorëheqjet e tyre, e ndërsa sot disa nga ta janë parë edhe duke dorëzuar armët e pajisjet e tjera.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sot, deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar zyrtarisht mandatet.

Pamje – Policët e rendit me automjetet e veta arrijnë në stacionet policore në Zveçan