Rama: Këtë muaj hapet thirrja për projektin që ndërlidhë 'Arbërinë' me 'Pallatin e Rinisë' dhe hotelin 'Grand'

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar projektin e mbikalimit që ndërlidhë lagjen “Arbëria” me “Pallatin e Rinisë” dhe hotelin “Grand”.

Sipas Ramës, gjatë këtij muaji do të shpallet thirrja për kompaninë ndërtimore për këtë projekt.

“Gjatë muajit shkurt do të shpallet thirrja për kompaninë ndërtimtore për këtë projekt transformues që zgjidhë shumë probleme për qytetarët e Kryeqytetit. I falënderoj qytetarët për durimin e treguar dhe i informoj se detaje të projektit do të ekspozohen për publik të hënën me 12 shkurt në hollin e ndërtesës së Kryeqytetit në qendër” – ka shkruar kryetari Rama në “Facebook”, duke bashkangjitur pamje të projektit në fjalë.

Ky projekt ka qenë një prej premtimeve gjatë fushatës së Ramës në zgjedhjet e fundit të vitit 2021.

Asokohe, Rama kishte thënë se projekti pritet të përfundojë brenda tri viteve.