Foto: Arben Vitia, Facebook

QKUK furnizohet me tri pajisje të reja mjekësore

Njërin prej shërbimeve që pacientët kosovarë deri më tani e kanë marrë vetëm jashtë vendit, së shpejti do të mund ta marrin në Qendrën Klinike e Universitare të Kosovës.

Kështu të paktën tha Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, që njoftoi se kjo do të mundësohet pasi që QKUK është furnizua me tri pajisje të reja mjekësore.

“Ultrazëri endoskopik që do të jetë në përdorim prej janarit në QKUK, është nga të vetmit në Ballkanin Perëndimor. Ky shërbim deri tani është marrë vetëm jashtë vendit dhe ka kushtuar 1200 euro ndërsa metoda terapeutike deri 2000 euro. Së shpejti ato do të jepen pa këto kosto në QKUK” – ka shkruar Vitia në Facebook.

Siç thotë Vitia, ky aparat mund të zbulojë kancerin e pankreasit me ndjeshmëri më të lartë se pajisjet CT dhe MRI.

Kreu i shëndetësisë njofton se edhe dy pajisjet e tjera “Sentinel Lymph Node Biopsy” dhe “PET SCAN”, do të fillojnë punën në muajt e parë të vitit 2024.

Pajisja e parë, sipas Vitisë është e para e tillë në sistemin shëndetësor në Kosovë, e cila bën identifikimin e gjëndrave limfatike të infiltruara, me malinitet të lartë.

“PET SCAN (Positron Emission Tomography Scan) është aparaturë e avancuar që përdoret për të identifikuar tumorë, për të vlerësuar shpërndarjen e sëmundjes, për monitorimin e efekteve të trajtimit, dhe për të vlerësuar funksionimin e organeve” – ka shkruar më tej Arben Vitia.

Ministri ka thënë se kanë filluar një proces të pakthyeshëm të modernizimit të pajisjeve mjekësore në spitalet publike.