Qeveria tregon arsyet për shkarkimin e bordit të ndërmarrjes "Hidroregjioni Jugor"

Opinioni i kundërt për pasqyrat financiare nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe vazhdimi i detyrës përtej mandatit 3 vjeçar kanë qenë arsyet kryesore që kanë çuar në shkarkimin e Bordit të ndërmarrjes publike “Hidroregjioni Jugor” të Prizrenit nga Qeveria Kurti.

Sipas këtij vendimi, Qeveria Kurti ka shkarkuar Bordin për shkak se kanë shkelur detyrat fiduciare duke lejuar raportimin e rremë financiar.

Bordi i shkarkuar i ndërmarrjes “Hidroregjioni Jugor” përbëhej nga kryesuesi Rexhep Manxhuka dhe anëtarët: Ridvan Hoxha, Ylber Kuçi, Reshit Makica, Ramadan Abazi dhe Alban Zulfaj.

Vendimi i Qeverisë Kurti për shkarkimin e Bordit të Ndërmarrjes “Ibër-Lepenci” ka ardhur me propozim të ministres në detyrë të Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

Si arsye kryesore për shkarkimin e Bordit është përmendur opinioni i kundërt për pasqyrat financiare nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Sipas ministres Hajdari, e cila ka propozuar shkarkimin, përgjegjësia për pasqyrat bie mbi Bordin, dhe veçanërisht kryesuesin.

“Për më tepër, Bordi ka lejuar përkeqësimin e gjendjes, meqë ZKA ka dhënë opinion të kualifikuar për vitin 2017, çka është një shkallë më mirë se opinioni i kundërt për vitin pasues”, theksohet në vendim.

Arsye tjetër për shkarkim është përmendur edhe që Bordi është emëruar në tetor 2015 dhe ka vazhduar në detyrë përtej mandatit 3 vjeçar.

“Drejtorët e tanishëm kanë qenë në ndërmarrje kur janë përpiluar pasqyrat financiare si dhe kur është dhënë opinioni i kundërt”, përfundon arsyetimi për shkarkimin e Bordit.

Dje, Qeveria në detyrë e Albin Kurtit ka shkarkuar edhe bordin e ndërmarrjes publike “Hidroregjioni Jugor” të Prizrenit.

Qeveria në detyrë emëroi katër persona në bordin e përkohshëm të “Hidroregjioni Jugor”. Ky bord përbëhet nga Ylber Elshani, kryesues dhe drejtor, Arieta Vula- Pozhegu, drejtoreshë, Altin Sahiti, drejtor dhe Edmond Halimi, drejtor.

“Hidroregjioni Jugor” ofron shërbime komunave si Prizrenit, Suharekës, Dragashit, Malishevës dhe Mamushës.

KALLXO.com ka shkruar në muajin shkurt në lidhje me raportet e auditimit dhe opinionet e ZKA-së në lidhje me raportet financiare të kësaj ndërmarrje.

Ujësjellësi i Prizrenit me opinion negativ nga Auditori