Ujësjellësi i Prizrenit me opinion negativ nga Auditori

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren është një prej ndërmarrjeve që ka marrë opinion negativë nga Zyra Kombëtare e Auditimit në dy vitet e fundit.

Me një buxhet vjetor prej 5.2 milionë euro, “Hidroregjioni Jugor” ka llogarit e pagueshme tregtare janë 2,7 milionë euro, si dhe 1,7 milionë euro obligime për tatime dhe kontribute.

Përveç kësaj, Zyra Kombëtare e Auditimit kishte gjetur edhe dobësi në pasqyrat financiare, duke dhënë opinion negativë për pasqyrat financiare të kësaj ndërmarrjeje.

Qeveria e Kosovës e ka shkarkuar bordin e Telekomit të Kosovës me arsyetimin se ndërmarrja është në prag të falimentimit për shkak të gjendjes së rëndë financiare dhe operative.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Avdullah Hoti dhe ministrja e Ekonomisë dhe Punës, Rozeta Hajdari kanë paralajmëruar se do të analizohet gjendja financiare e secilës ndërmarrje publike, duke u fokusuar edhe në raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

KALLXO.com në vazhdimësi i ka publikuar raportet e Auditimit që janë bërë për ndërmarrjet publike.

KRU “Hidroregjioni jugor” Prizren ka pranuar opinion të kundër nga Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e vitit 2018, duke konstatuar se pasqyrat financiare vjetore nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale.

Auditori jep një opinion të kundërt nëse “arrin në përfundimin se keq deklarimet, ose individualisht ose së bashku, janë edhe materiale edhe të përhapura në pasqyrat financiare” të ndërmarrjes.

“Sipas opinionit tonë, për shkak të çështjeve të përshkruar në paragrafin Baza për Opinion të Kundërt, pasqyrat vjetore financiare nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, në të gjitha aspektet materiale të Hidroregjioni Jugor për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2018, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit (SNK), Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF) dhe Ligjet e Kosovës”, thuhet në këtë raport.

Sipas auditorit, rrjedha e parasë nga aktivitetet operative dhe financuese nuk paraqesin pamje të drejtë në disa raste.

“Llogaritë e arkëtueshme tregtare gjatë vitit ishin zvogëluar për 98,449€, ndërsa në rrjedhën e parasë sipas aktiviteteve operative ishte prezantuar si rritje e kërkesave afatshkurtra për (231,553€), duke u mbivlerësuar për 133,104€”, vijon raporti.

Mes tjerash, te rrjedha e parasë nga aktivitetet financuese ishin prezantuar gabimisht të hyrat të cilat kompania i mbledh nga aktiviteti primar i saj, duke i mbivlerësuar kështu aktivitetet financuese për 1,568,538 euro.

Ndryshe nga 2018-a, në vitin paraprak, Auditori kësaj  ndërmarrje i ka dhënë opinion të kualifikuar, me arsyetimin se pasqyrat financiare vjetore për vitin 2017, përveç efekteve të përshkruara në paragrafin “Baza për Opinion të kualifikuar”, paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale.

Auditori shpjegon se duhet të japë një opinion të kualifikuar nëse: (1) pasi ka marrë dëshmi auditimi të mjaftueshme dhe të përshtatshme, auditori arrin në përfundimin se keq deklarimet, ose individualisht ose së bashku, janë materiale por nuk janë përhapur në pasqyrat financiare, ose (2) nëse auditori nuk ka mundur të marrë dëshmi auditimi të mjaftueshme dhe të përshtatshme në të cilat të bazojë një opinion, por arrin në përfundimin se efektet e çdo gabimi të pazbuluar mbi pasqyrat financiare kanë mundur të jenë materiale por jo të përhapura.

Përveç këtyre, Auditori ka gjetur edhe shkelje të tjera nga kompania në fjalë në dy vitet e  fundit.

Sipas raportit për vitin 2018, janë evidentuar këto shkelje: Pranimet e parave nga klientët e pa identifikuar, blerja e mallrave dhe shërbimeve pa procedura të prokurimit, si dhe kompania nuk kishte hartuar regjistrin e rreziqeve.

Ndërkaq, në raportin për vitin 2017 janë evidentuar: Planifikimi/realizimi i planit të biznesit i pa bazuar në mundësitë reale të kompanisë, mungesa e rregullores për menaxhim të pasurive, blerja e mallrave dhe shërbimeve pa procedura të prokurimit, humbje të mëdha të ujit të prodhuar dhe distribuuar, angazhimi i punonjësve me kontratë për punë dhe detyra specifike pa procedura të rekrutimit, dobësi në leximin e orëmatësve të ujit dhe faturimeve dhe zbatim i ulët i rekomandimeve nga viti paraprak dhe viti i mëhershëm.

Bordi i ndërmarrjes KRU “Hidroregjioni Jugor” Prizren përbëhet nga kryesuesi Rexhep Manxhuka dhe anëtarët: Ridvan Hoxha, Ylber Kuçi, Reshit Makica, Ramadan Abazi dhe Alban Zulfaj.

Zëdhënësja e KRU Hidroregjioni –Prizren, Nderona Kurtaj e ka konfirmuar për KALLXO.com se bordi i ndërmarrjes është funksional që nga viti 2015, kur edhe e ka marr mandatin.

“Po, bordi i mbanë mbledhjet e rregullta çdo muaj, është funksional. Bordi është mandatuar në vitin 2015, me sa e dimë ne ka pas mandat për tri vjet deri me 2018. Por më pas nuk është ndërruar dhe ka vazhduar punën. Sa kemi informacione, Qeveria e Kosovës ka hapur konkurs për bordin e ri, por nuk kemi informacione të tjera”, ka thënë ajo.

Kjo ndërmarrje shërbime u ofron komunave si Prizrenit, Suharekës, Dragashit, Malishevës dhe Mamushës.

Teksti është ndryshuar me datën 22 shkurt në ora 15:19, tek pjesa e shpjegimit të detyrimeve që kanë ndërmarrja.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.