Flamuri i Kosovës në ndërtesën e Qeverisë, Foto: Atdhe Mulla

Qeveria reagon ndaj deklaratës së BE-së se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për shtendosje në veri

Qeveria e Kosovës i është përgjigjur zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano i cili ka thënë se Kosova nuk ka kontribuar mjaftueshëm në shtendosjen e situatës në veri, prandaj edhe masat ndëshkuese janë në fuqi.

Për KALLXO.com, Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit për dialog Besnik Bislimi ka thënë se Kosova është duke i kryer detyrat e saj nga dakordimi i Bratislavës.

“Kosova në vazhdimësi ka kontribuar në de-eskalimin e situatës, duke zbatuar zotimet e dhëna në marrëveshjen mes Kosovës e BE-së me 10 korrik”- tha ai.

Kadiu edhe njëherë ka theksuar se masat e vendosura ndaj Kosovës kanë qenë e mbeten të padrejta.

“Ne ritheksojmë se ato duhet të hiqen sa më parë. Pala e vetme eskaluese e situatave, ka qenë e mbetet Serbia. Kjo u dëshmua dhe përmes sponsorizimit të drejtpërdrejtë të aktit të agresionit, sulmit terrorist, paramilitar dhe kriminal të 24 shtatorit, e që edhe 17 ditë pas vazhdon të mos jetë e sanksionuar”- ka theksuar ai.

Në një konferencë për media, të mbajtur dje, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka arsyetuar përse ende janë në fuqi ndaj Kosovës.

“Masat e prezantuara për Kosovën ishin reagim direkt ndaj eskalimit që pati, apo mungesës së shtendosjes që kemi parë më herët, nuk po flas për 24 shtatorin, po flas për periudhë para kësaj. Shtetet anëtare ende nuk kanë parë hapa të mjaftueshëm nga Kosova për shtendosje kuptimplotë, për këtë arsye masat janë ende në fuqi”- ka thënë Stano.

Masat kufizuese ndaj Kosovës, Bashkimi Evropian i ka vendosur më 14 qershor për shkak të siç kanë thënë ‘sjelljes joevropiane’ të Kosovës karshi menaxhimit të situatës në veri të vendit.

Ndonëse asnjëherë nuk janë treguar se cilat janë saktësisht, është thënë se këto masa përfshijnë suspendimin e vizitave të nivelit të lartë, kontakteve, ngjarjeve,  po ashtu edhe në bashkëpunimin financiar me Kosovën.

Në korrik, zëvendëskryeministri për dialog Besnik Bislimi kishte rënë dakord emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak për një plan për shtendosje të situatës.

Plani përfshinte zvogëlimin e pranisë policore në komunat veriore, gjë të cilën qeveria e ka bërë dy herë radhazi, pastaj përkrahjen e zgjedhjeve të reja ku edhe është hartuar një udhëzues për shkarkimin e 4 kryetarëve në komunat veriore përmes peticionit, si dhe një takim i nivelit të lartë, i cili ndodhi, por nuk dha rezultate.

Më 24 shtator, në komunën veriore të Zveçanit, përkatësisht në Banjskë ndodhi një sulm terrorist.

Nga ky sulm mbeti vdekur rreshteri Afrim Bunjaku, një polic u plagos dhe një tjetër u lëndua. Nga grupi i sulmuesve 3 prej tyre mbeten të vdekur.

Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiqiq.

Autoritet në Kosovë kanë fajësuar Serbinë për këtë sulm dhe kanë kërkuar sanksionimin e saj, mirëpo një hap i tillë ende nuk është marrë nga Bashkimi Evropian, nën arsyetimin se janë duke pritur hetim.

BE: Nuk kemi parë hapa kuptimplotë nga Kosova për shtendosje në veri, masat mbesin në fuqi