BE: Nuk kemi parë hapa kuptimplotë nga Kosova për shtendosje në veri, masat mbesin në fuqi

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se shtetet anëtare ende nuk kanë parë hapa të mjaftueshëm nga Kosova për shtendosje të plotë të situatës në veri andaj edhe masat ndëshkuese mbeten në fuqi.

“Masat e prezantuara për Kosovën ishin reagim direkt ndaj eskalimit që pati, apo mungesës së shtendosjes që kemi parë më herët, nuk po flas për 24 shtatorin, po flas për periudhë para kësaj. Shtetet anëtare ende nuk kanë parë hapa të mjaftueshëm nga Kosova për shtendosje kuptimplotë, për këtë arsye masat janë ende në fuqi”- ka thënë Stano në konferencë për media.

Sipas tij, pozicionit të Bashkimit Evropian për dialogun për i qartë, palët duhet ta vazhdojnë këtë proces me përpjekje për arritje të kompromisit.

“BE është ndërmjetësuesi i sinqertë i dialogut duke i ndihmuar palët të gjejnë një konsensus e kemi përsëritur shumë herë, nuk ka asgjë tjetër për të thënë rreth kësaj. Rruga drejt BE-së për Kosovën e Serbinë shkon pashmangshëm nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, s’ka rrugë tjetër, të dy palët duhet ta kuptojnë se dialogu duhet të vazhdoj dhe palët duhet të bashkëpunojnë në mënyrë kuptimplote duke arritur kompromisin e nevojshëm për t`i normalizuar raportet”- ka thënë tutje ai.

Zëdhënësi i BE-së nuk ka pranuar të përgjigjet nëse ka ndonjë pako të masave për Serbinë, mirëpo ka theksuar se janë duke e pritur hetimin e plotë.

“Kur jemi tek hetimi, më duhet ta përsërisë atë që kam thënë shumë herë tani më, presim rezultatin përfundimtar të hetimit të plotë. Kur të përfundohen hetimet, e BE-ja të ketë rezultatet, e të ketë pamje të qartë se çfarë ka ndodhur dhe kush qëndron prapa kësaj, atëherë shtetet anëtare do të vendosin për hapa tjerë”- tha ai.

BE ka vendosur masa ndaj Kosovës për shkak të siç kanë thënë ‘sjelljen jo evropiane’ të autoriteteve të Kosovës gjatë menaxhimit të situatës në veri.

Kosova dhe BE janë dakorduar në Bratislavë për hapat për deeskalim, duke ulur kështu prezencën policore në afërsi të objekteve komunale.

Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ka ndodhur një sulm terrorist ku ka mbetur i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku. Autoritet në Kosovë kanë fajësuar Serbinë për këtë sulm dhe kanë kërkuar sanksionimin e saj, mirëpo një hap i tillë ende nuk është marrë nga Bashkimi Evropian.

Osmani kërkon frenimin e Serbisë si masë parandaluese për sulmet e tjera