Qeveria e Kosovës, Foto: KALLXO.com

Qeveria publikon shkeljet e marrëveshjes nga Serbia që Kurti ua prezantoi Borrellit e Lajçakut në Bruksel

Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit në Bruksel të martën ka deklaruar se i ka dorëzuar Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe emisarit për dialog, Mirosllav Lajçak, një dokument që, sipas tij, Serbia ka shkelur tetë nene të marrëveshjes së dakorduar më 27 shkurt.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka publikuar në gjuhën shqipe përmbledhjen e shkeljeve që Serbia ia ka bërë marrëveshjes bazë.

“Brenda dy javëve pas dakordimit në Bruksel, Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjen Bazike, preambulën e saj dhe një nen të Planit të Zbatimit.  Kjo është përmbledhja, në gjuhën shqipe, e të gjitha shkeljeve të Serbisë. Shkelje këto që kryeministri Kurti i prezantoi para ndërmjetësve evropianë në takimin e 2 majit në Bruksel”-ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Kryeministri të martën kishte thënë se po ashtu ka dorëzuar një dokument me deklarata të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas Kurtit, nuk është pajtuar me Marrëveshjen bazë si propozim evropian dhe se si nuk do ta zbatojë në tërësi.

“Gjithashtu kam dorëzuar një dokument në të cilin janë tri deklarata të presidentit serb se si ai thotë që nuk është pajtuar me marrëveshjen bazë si propozim evropian se si nuk do ta zbatojë në tërësi, andaj kisha nevojë për një garanci se kemi soliditet të procesit meqë kemi marrëveshje dhe kjo u tha nga ndërmjetësit se kemi marrëveshje dhe 27 shkurti në Bruksel dhe 18 marsi në Ohër kanë ndodhur”- theksoi Kurti.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Zyrën për media të Bashkimit Evropian për të marrë infromacione nëse Borrell dhe Lajçak kanë kontrolluar dokumentin e dorëzur nga Kurti dhe se cili është qëndrimi i tyre në lidhje me të, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Kurti thotë se i dorëzoi BE-së një dokument me 8 nenet e Marrëveshjes së shkurtit që Serbia i ka shkelur