Qeveria miraton Projektligjin për Sistemin Qendror të Evidencës Penale

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar ka miratuar Projektligjin për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se ky sistem mundëson transparencë më të madhe në sistemin gjyqësor.

“Ky sistem do të mundësojë transparencë më të madhe. Përmes lidhjes në sistemin elektronik do të sigurojë efikasitet më të madh për llogaridhënie në sistemin gjyqësor. Ky sistem mirëmbahet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe siguron qasje të plotë në Ministrinë e Drejtësisë. Do të mundësojë shkëmbim më të lehtë të dhënave”-tha ai.

Ky projektligj u prezantua para kabinetit qeveritar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Është në përputhje me programin e qeverisë dhe është rezultat i një analize të gjerë të Ministrisë së Drejtësisë. Për herë të parë çështja e evidencës penale do të rregullohet me një ligj të veçantë” – tha tutje Haxhiu.

Ky ligj rregullon sistemin qendror të evidencës penale të Republikës së Kosovës, krijimin e mekanizmave strukturor institucional të sistemit, mirëmbajtjen dhe lëshimin e të dhënave, si dhe procedurën për rehabilitimin e personave të dënuar dhe qasjen në këto informata, përfshirë edhe afatet përkatëse kohore.