Qeveria pritet të marrë vendim për ndalimin e ‘Tik-Tok-ut’ në institucionet publike
Qeveria e Kosovës në mbledhjen që do të mbahet më 28.06.2024, pritet që të marrë vendim për ndalimin e përdorimit të rrjetit social Tik-Tok në të gjitha institucionet publike.
Sipas një agjende të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, mbledhja do të mbahet në ora 14:00.
“Shqyrtimi i propozim vendimit për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të rrjetit social TikTok në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës (MPB” – thuhet në pikën e pestë të rendit të ditës.
Kabineti qeveritar do të shqyrtojë edhe draft-strategjinë shtetërore kundër drogave 2024-2028, draft-strategjinë e punësimit në Kosovë 2024- 2028 si dhe atë të turizmit në Republikën e Kosovës 2024-2030.
Qeveritarët pritet të marrin vendim për vazhdimin e mandatit të Hetuesit të Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike.