Foto: ZKM

Qeveria miratoi listën e kandidatëve për anëtarë të bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale

Qeveria e Kosovës në një mbledhje elektronike të zhvilluar më 23.02.2024 ka miratuar listën e kandidatëve të propozuar për tre anëtarë të bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Kjo listë përbëhet nga gjashtë anëtarë, të cilët janë: Habib Basholli, Nasuf Mjekiqi, Bahri Karaça, Avdi Mjeku, Hasan Preteni dhe Kaltrinë Demiri.

Bordi i KPMM-së kishte pasur kryesuese Selvete Grajqevci-Pllanën dhe anëtarë Rrezarta Pushkollin, Gani Maliqin dhe Gani Kastratin deri më 26.10.2023, atëherë kur Kuvendi i Kosovës i kishte shkarkuar.

Për shkarkimin e Grajqevci-Pllanës kishin votuar pro 62 deputetë dhe dy kishin abstenuar, për shkarkimin e anëtares Pushkolli kishin votuar pro 61 deputetë dhe tre kishin abstenuar, për shkarkimin e Gani Maliqit kishte pasur 60 vota pro dhe tre abstenime, si dhe për shkarkimin e Gani Kastratit kishin votuar pro 62 deputetë kurse dy kishin abstenuar.

Ndaj këtyre shkarkimeve kishte abstenuar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Në këtë votim nuk kishin marrë pjesë deputetët e opozitës, të cilët e kishin kundërshtuar shakarkimin e bordit të KPMM-së, në kohën kur minatorët e “Trepçës” ishin në grevë.

Kuvendi po ashtu kishte miratuar rekomandimin e Komisionit për Ekonomi që vendimi i KPMM-së për zvogëlimin e borxhit të “Ferronikelit” nga 9 milionë në rreth 1 milion të kthehet në rivendosje.

Ish-kryesuesja e bordit të KPMM, Selvete Grajqevci- Pllana, në intervistën në emisionin ‘Kallxo Përnime’ më 21.02.2023, kishte treguar se si Auditori kishte gjetur se ndërmarrja “Ferronikeli” nuk kishte raportuar drejt për xehen të cilën e kishte nxjerrë në Kosovë.

Një raport i Auditorit kishte konstatuar se ndërmarrja “NewCo Ferronikeli” nuk kishte raportuar drejt për rentën minerare në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Pas kësaj KPMM kishte vendosur të formojë një komision për të adresuar gjetjet e Auditorit.

Komisioni kishte konstatuar se “NewCo Ferronikeli” për shkak të mosraportimit të drejtë kishte hyrë në borxh te KPMM.

Pasi që kishte pranuar këtë raport të komisionit, Sali Mulaj, zëvendës i drejtorit në KPMM, i kishte drejtuar një njoftim për dështim të ndërmarrjes.

Në këtë njoftim për dështim, të cilin e kishte siguruar KALLXO.com, figuron se borxhi i “Ferronikeli”-t ndaj KPMM-së është 9,019,979.44 euro.

Sipas arsyetimit, ndërmarrja “NewCo Ferronikeli” nuk u është përmbajtur kushteve të licencës të parapara në LMM-në nr. 03/L-163.

Ndërmarrja ishte ankuar te komisioni i ankesave në KPMM, komisioni kishte vendosur që ankesa e “NewCo Ferronikeli” të pranohet pjesërisht, duke nënkuptuar se kjo ndërmarrje ka raportuar në mënyrë të rregullt, por vetëm duhet ta plotësojë diferencën në Departamentin e Financave dhe Gjeologjisë në KPMM.

Bordi i KPMM-së i cili e kishte trajtuar rekomandimin e “NewCo Ferronikeli” kishte konstatuar se ndërmarrja nuk ka raportuar në rregull, por që sipas tyre ajo duhej të paguante vetëm borxhin nga viti 2018 e tutje.

Kush janë anëtarët e propozuar për bordin e KPMM-së?

Habib Basholli figuron të jetë profesor në Kolegjin e Biznesit Prishtinë, anëtar në Komitetin Ekzekutiv në Akademinë e Shkencave të Ballkanit për Përpunimin e Mineraleve.

Basholli ka qenë pjesë e listës së kandidatëve për drejtorë të Bordit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) më 22.01.2019.

Konkursi për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të KOSTT për herë të parë ishte udhëhequr nga Kuvendi, ndërsa ata ishin asistuar nga BDO-ja, kompani e angazhuar nga Ambasada britanike për t’i asistuar Kuvendit dhe Qeverisë për përzgjedhjen e personave nëpër pozita të larta drejtuese. 

Basholli nuk kishte bërë pjesë në listën e rekomanduar të anëtarëve nga BDO.

Nasuf Mjekiqi ka qenë menaxher i minierave në “Ferronikel”.

Hasan Preteni ka qenë drejtor në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Bahri Karaça ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të minierës ‘Trepça’ në Stan Tërg më 18.01.2024. 

Karaça ishte shkarkuar nga kjo pozitë pas aksidentit të datës 17.01.2024, ku u lënduan 12 minatorë si pasojë e shpërthimit të një cisterne me acid në horizontin e 11-të të minierës.

Avdi Mjeku ka qenë drejtor i inspeksionit në Komunën e Obiliqit. Mjeku dy herë ishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, Mjeku duke qenë në cilësi të  drejtorit të inspektimit kishte keqpërdorur detyrën zyrtare ashtu që nga 01.01.2014 e deri në muajin maj 2016 kishte lejuar ndërtimin e objekteve në zonën e interesit të veçantë ekonomik të quajtur “Fusha e Mihjes së Re” në Obiliq.

Kaltrinë Demiri është inxhiniere e ndërtimtarisë, e cila kishte kandiduar për asamble komunale nga radhët Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo në Lipjan.