Nis sërish gjykimi i ish-inspektorit për ndërtimet në mihjen e re në Obiliq

Ish- drejtori i inspeksionit në Komunën e Obiliqit, Avdi Mjeku, u ul sot prapë në bankën e të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Megjithatë, seanca e sotme nuk u mbajt për shkak se ftesa që ishte dërguar në Prokurori nuk kishte shkuar në zyrën e prokurorit të rastit Arian Gashi, i cili kërkoi shtyrje të seancës  në mënyrë që i njëjti të jetë i përgatitur për shqyrtim gjyqësor.

Prokuroria pretendon se Mjeku ka lejuar ndërtimin e objekteve në zonën me interes të veçantë ekonomik “Fusha e Mihjes së Re” në Komunën e Obiliqit.

I akuzuari, Avdi Mjeku më 15 qershor 2019 ishte liruar nga akuzat nga  gjykata e shkallës së pare.

Por, ankesa e Prokurorisë së Prishtinës ka bërë që lënda të trajtohet në gjykatën e shkallës së dytë dhe të kthehet në rigjykim më 13 nëntor 2019.

Gjykata e Apelit ka gjetur se në aktgjykimin e shkallës së parë ka shkelje esenciale pasi që gjykata nuk ka paraqitur në mënyrë të qartë se cilat fakte i konsideron të vërtetuara dhe cilat të pavërtetuara.

Tutje, Apeli ka udhëzuar gjykatën që në rigjykim të bëjë vlerësimin e drejt të secilës provë veç e veç dhe të vë në pah provat që janë në kundërthënie me njëra tjetrën si dhe të saktësojë se cilave prova u ka falur besimin e cilave jo.

Aktakuza thotë se Avdi Mjeku duke qenë në cilësi të  drejtorit të inspektimit kishte keqpërdorur detyrën zyrtare ashtu që nga 1 janari 2014 e deri në muajin maj 2016 kishte lejuar ndërtimin e objekteve në zonën e interesit të veçantë ekonomik të quajtur “Fusha e Mihjes së Re” në Obiliq.

Prokuroria thotë se i akuzuari Mjeku, nuk ka ndërmarre veprimet ligjore për të parandaluar  dhe penguar ndërtimin e objekteve  në zonën e interesit të veçantë ekonomik.

Gjykata mori vendim që seanca e radhës të mbahet më  2 korrik, në orën 9 e 30.