Lirohet nga akuza ish- drejtori i Inspeksionit në Komunën e Obiliqit

Për të dytën herë është liruar nga akuza ish- drejtori i Inspeksionit në Komunën e Obiliqit, Avdi Mjeku, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka- Mekaj, deklaroi se në mungesë të provave Mjeku lirohet nga akuza.

Kurse shpenzimet procedurale shtoi se bien barrë e gjykatës.

Më pas, gjykatësja Mekaj e ka arsyetuar aktgjykimin lirues.

I akuzuari Avdi Mjeku më 15 qershor 2019 ishte liruar nga akuzat nga  gjykata e shkallës së parë.

Por, ankesa e Prokurorisë së Prishtinës ka bërë që lënda të trajtohet në gjykatën e shkallës së dytë dhe të kthehet në rigjykim më 13 nëntor 2019.

Gjykata e Apelit kishte gjetur se në aktgjykimin e shkallës së parë ka pasur shkelje esenciale pasi që gjykata nuk ka paraqitur në mënyrë të qartë se cilat fakte i konsideron të vërtetuara dhe cilat të pavërtetuara.

Tutje, Apeli ka udhëzuar gjykatën që në rigjykim të bëjë vlerësimin e drejt të secilës provë veç e veç dhe të vë në pah provat që janë në kundërthënie me njëra tjetrën si dhe të saktësojë se cilave prova u ka falur besimin e cilave jo.

Aktakuza thotë se Avdi Mjeku duke qenë në cilësi të  drejtorit të Inspeksionit kishte keqpërdorur detyrën zyrtare pasi që nga 1 janari 2014 e deri në muajin maj 2016 kishte lejuar ndërtimin e objekteve në zonën e interesit të veçantë ekonomik të quajtur “Fusha e Mihjes së Re” në Obiliq.

Prokuroria thotë se i akuzuari Mjeku, nuk ka ndërmarre veprimet ligjore për të parandaluar  dhe penguar ndërtimin e objekteve  në zonën e interesit të veçantë ekonomike.

Nis sërish gjykimi i ish-inspektorit për ndërtimet në mihjen e re në Obiliq