Miroslav Lajcak dhe Besnik Bislimi/ FOTO: Miroslav Lajcak- Twitter

Qeveria jep detaje për takimin në Bruksel: Draft-propozimi për Asociacionin nuk ishte pjesë e diskutimeve

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se draft-propozimi për formimin e Asociacionit nuk ka qenë pjesë e diskutimit në takimin e mbajtur sot mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak.

Sipas njoftimit, në këtë takim u ritheksua qëndrimi i Kurtit i paraqitur më 26 tetor para liderëve europianë.

“Draft-propozimi për zbatim të nenit 7 ndërlidhur me nenin 10 nuk ishte pjesë e diskutimeve, por u ritheksua qëndrimi i Kryeministrit Kurti të paraqitur me 26 tetor para liderëve, që nënkupton se ecja tutje duhet bërë në pajtim me parimin se vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe zbatim të marrëveshjeve”- thuhet në njoftim.

Po ashtu thuhet se në takim u trajtuan tema të cilat ndërlidhen me zbatimin e Marrëveshjes bazike të 27 shkurtit, aneksit implementues të 18 marsit dhe planin e ri për ecjen përpara të 21 tetorit.

Ndërsa është bërë e ditur në diskutimin mbi planin e sekuencimit të zbatimit u paraqitën komentet e palës kosovare që insistojnë në zbatim të plotë të Marrëveshjes bazike.

“U trajtuan dhe marrëveshjet të cilat kanë hasur në pengesa e moszbatueshmëri në proces nga pala serbe, siç janë ajo e energjisë dhe çështja e personave të zhdukur me dhunë. Kosova u pajtua me draftin e dokumentit për termat e referencës për zbatimin e Deklaratës mbi Personat e Pagjetur, pas pranimit nga ana e BE-së të komentit tonë”- ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Ndërsa është bërë e ditur se nuk ka pasur takim trilateral mes palëve.

Në njoftim thuhet se Qeveria e Kosovës vijon të mbetet e përkushtuar dhe palë konstruktive në proces, e angazhuar maksimalisht për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë të enjten se pa nënshkrim të marrëveshjeve të arritura deri më tani nuk mund të ecet përpara drejt zbatimit të tyre.

Sipas tij, takimet e së enjtes në Bruksel kanë përfunduar pa një takim trepalësh, sepse nuk ka pasur nevojë për diçka të tillë.

Takimet në Bruksel, flet Besnik Bislimi