Qeveria: Ditëve në vazhdim merret vendimi për Fondin Emergjent për vërshimet

Qeveria e Kosovës ende nuk ka një vlerësim apo raport të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit në vend.

Pasi raporti të bëhet, Qeveria do të fillojë krijimin e Fondit Emergjent për vërshime që është përmendur nga ana e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti dje në Drenas.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, Antigona Baxhaku-Idrizi, këshilltare për media e kryeministrit.

“Republika e Kosovës ka vënë në gatishmëri dhe dispozicion të gjithë mekanizmat shtetërorë me qëllim të menaxhimit sa më të mirë me situatën e krijuar pas vërshimeve nëpër pjesë të ndryshme të vendit. Ende nuk ka  një vlerësim, raport, të dëmeve të shkaktuara, sapo do të ketë Qeveria do të vejë në jetë planin konkret të ndihmës”, ka bërë të ditur ajo.

Tutje ajo tha se në Fondin Emergjent do të përfshihen të gjitha zonat e prekura.

“Një vendim i tillë do të merret ditëve në vazhdim dhe ndihma do të ofrohet në të gjitha zonat e prekura nga vërshimet pa asnjë përjashtim. Prioritet do të kenë familjet me gjendje të rëndë socio-ekonomike të prekura nga vërshimet”, tha më tej Baxhaku-Idrizi për KALLXO.com

Të reshurat e shiut me intensitet të lartë kanë shkaktuar vërshime në shumë rajone të Kosovës.

Shumica e komunave në Kosovë janë duke u përballur me rrugë të prishura, ura të rrëzuara, ndërprerje të rrymës elektrikë si dhe përmbytje të shtëpive të tyre pas rritjes së reshjeve atmosferike ditëve të fundit.

Komunat po ashtu kanë krijuar ekipet emergjente të reagimet pas këtyre vërshimeve.

Hoti premton themelimin e Fondit Emergjent për sanimin e dëmeve nga vërshimet 

.