Ish-Kryeministri, Avdullah Hoti Foto: ZKM/11/01/2021

Hoti premton themelimin e Fondit Emergjent për sanimin e dëmeve nga vërshimet 

Pas gjendjes me vërshimet në Kosovë, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti paralajmëroi themelimin Fondit Emergjent, për sanimin e dëmeve nga vërshimet, për t’iu dalë në ndihmë familjeve që kanë pësuar dëme materiale dhe që jetojnë në kushte të vështira.

Këtë deklaratë, Hoti e dha gjatë një vizite që bëri sot në Dobroshec të Komunës së Drenasit, një pjesë e të cilit është bllokuar, pasojë e dëmtimit të rëndë të urës nga vërshimet e ditëve të fundit.

“Është mirë që nuk kemi pas viktima në njerëz, kjo është kryesorja. Janë shkaktuar dëme të mëdha në prona private më vërshime nëpër shtëpi. FSK-ja ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme në evakuimin dhe strehimin e përkohshëm të disa qytetarëve në Gjakovë, në veçanti në Aeroportin e Gjakovës, por edhe në vende të tjera”, tha ai.

Hoti shtoi se në Qendrën e Situatave, e cila është pjesë e Zyrës së Kryeministrit, janë duke e përcjellë nga afër, gjatë 24 orëve, situatën e rëndë me vërshimet, në shumicën e komunave në Kosovë.

Gjatë vizitës në fshatin Dobroshec të Komunës së Drenasit, Hoti ishte i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, dhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Shumë komuna të Kosovës ditët e fundit janë duke u përballur me vërshime të mëdha, pas reshjeve të shiut dhe borës për disa ditë radhazi.

Ekipet e KALLXO.com po qëndrojnë në lokalitete të ndryshme, duke raportuar nga vendi i ngjarjes.