Qeveria amerikane: Izraeli nuk është përgjegjës për sulmin në siptalin e Gazas

Qeveria amerikane e ka lëshuar një vlerësim duke thënë se Izraeli nuk ishte përgjegjës për shpërthimin në një spital në Gaza të martën për të cilin sulm Ministria e Shëndetësisë e Gazës e udhëhequr nga Hamasi tha se i ka lënë të vrarë qindra civilë. Në një deklaratë, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson, vuri në dukje inteligjencën që tregon se “disa militantë palestinezë në Rripin e Gazës besonin se shpërthimi ishte shkaktuar nga një lëshim i gabuar i raketës nga Xhihadi Islamik Palestinez (PIJ). Militantët po hetojnë ende se çfarë ka ndodhur”.

Deklarata, e shpërndarë nga CNN, shton: “Qeveria amerikane vlerëson se Izraeli nuk ishte përgjegjës për një shpërthim që vrau qindra civilë dje në spitalin al-Ahli al-Arabi në Rripin e Gazës. Vlerësimi ynë bazohet në raportimet e disponueshme, duke përfshirë inteligjencën, aktivitetin raketor dhe videot dhe imazhet me burim të hapur të incidentit”.

Ndërkohë, ka pasur skepticizëm në Lindjen e Mesme në lidhje me vlerësimet izraelite dhe amerikane për shpërthimin në spital, sipas ministrit të jashtëm të Jordanisë, Ayman Safadi. “Askush nuk po e blen atë narrativë në këtë pjesë të botës”, ka thënë Safadi për NBC News. “E vetmja mënyrë që njerëzit të kenë një narrativë të ndryshme është nëse ka një hetim ndërkombëtar të pavarur për tragjedinë që ka ndodhur me prova të pa të meta se nuk ishte Izraeli”.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e udhëhequr nga Hamasi, tha se shpërthimi në spitalin e Gazës kishte vrarë 471 njerëz dhe plagosur më shumë se 314. Shpërthimi i së martës u fajësua nga zyrtarët palestinezë për një sulm ajror izraelit. Izraeli tha se ishte shkaktuar nga një lëshim i dështuar i raketës nga grupi militant Palestinez Xhihadi Islamik, grup ky që e ka mohuar përgjegjësinë./ The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala