Qarkullimi i parave të falsifikuara, BQK bën thirrje që të shmanget përdorimi i parave të gatshme
Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka bërë thirrje për qytetarët e Kosovës që të shmangin përdorimin e parave të gatshme e sidomos të monedhave dy euroshe, për shkak të qarkullimit në masë të parave të falsifikuara në Kosovë.
Në kërkesë thuhet që të shfrytëzohen sa më shumë kartelat bankare, gjatë kryerjes së pagesave.
BQK-ja ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar një takim me Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, Doganat e Kosovës, ATK-në, Njësinë e Intelegjencës Financiare, Inspektoriatin e Tregut dhe AKI-në, për të diskutuar për luftimin e qarkullimit të parave false në Kosovë.
Në njoftim bëhet e ditur se palët kanë diskutuar për situatën aktuale që lidhet me fenomenin e parave të falsifikuara që po qarkullojnë në Kosovë, si dhe kanë shkëmbyer infornacionet mbi burimet dhe origjinën e monedhave të falsifikuara.
“Në zbatim të këtij plani, parashihet edhe rishikimi i tarifës së depozitimit të monedhave në banka nga BQK, avancimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe sektorin financiar, si dhe promovimi i përdorimit të mënyrave elektronike të pagesave, si pjesë e fushatave të edukimit financiar”- thuhet në njoftim.
BQK ka rekomanduar që bizneset të furnizohen vetëm nga bankat me para të gatshme, të cilat furnizohet nga ana e BQK-së, ndërsa mjetet e pranuara t’i nënshtrohen verifikimit para se të njëjtat të rivihen në qarkullim.
“Po ashtu, me theks të veçantë udhëzohen qytetarët të shmangin përdorimin e parave të gatshme veçanërisht monedhën 2 euro dhe të shfrytëzojnë sa më shumë kartelat bankare gjatë pagesave”- thuhet në njoftim.
Gjithashtu, veprime konkrete është kërkuar edhe nga bankat dhe institucionet tjera financiare, që të ngrisin kapacitetet e brendshme të adresimit të kësaj dukurie dhe komunikimit sa më efikas me autoritetet përkatëse.
“Në fund të takimit, palët u dakorduan që përmes grupit punues ndërinstitucional, të koordinohen aktivitetet sipas fushëveprimit përkatës të institucioneve, të rekomandojnë ndryshimet legjislative dhe monitorojnë në vazhdimësi zbatimin e këtij plani”- thuhet në fund të njoftimit të Bankës Qendrore të Kosovës.