Vota, QNR FOTO-KALLXO.com

PZAP e refuzon ankesën e koalicionit NISMA-AKR-PD për votat nga Serbia

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka refuzuar dhe cilësuar si jashtë afatit ligjor, ankesën e koalicionit NISMA-AKR-PD, për 3,700 zarfet më vota të ardhura nga Serbia.

Ky koalicion, nëpërmjet ankesës së paraqitur me 28 tetor, ka kërkuar nga PZAP që ta anulojë vendimin e KQZ-së dhe të cilësohen si të pa rregullta fletëvotimet e ardhura nga Serbia.

PZAP në vendimin e tyre si arsyetim ka thënë se ankesa e koalicionit është jashtë afat ligjor për ankesa.

“Paneli pasi që e vlerësoi afatshmërinë e ankesës gjeti se e njëjta është e pas afatshme ngase ankuese i referohet parregullsive në QNR, ku mundet të paraqitet ankesë në PZAP brenda 24 orëve, nga ndodhja e shkeljes së supozuar, nga kjo rezulton se njëjta është paraqitur pas afatit ligjor të përcaktuar me dispozitën ligjore të nenit 105 paragrafi 1 të LZP-së”, thuhet në arsyetimin e PZAP-së për refuzimin e ankesës.

Sipas Panelit Zgjedhor, afati për ankesë ka qenë me datë 12 tetor, ndërsa kundër këtij vendimi nuk lejohen ankesa të tjera.