Foto: Facebook/ Nisma Socialdemokrate

Dështimi katastrofal i ministrave të NISMA-AKR që synonin postin e deputetit

Koalicioni parazgjedhor NISMA-AKR-PD nuk e ka kaluar pragun për t`u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës, nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit, e që rrjedhimisht rezultatet janë zhgënjyese edhe për kandidatë për deputetë.

Nisma dhe AKR-ja të cilat ishin pjesë e qeverisë në largim të Ramush Haradinajt, kanë udhëhequr me disa ministri të vendit.

Ministrat në largim i ishin futur garës për deputetë, por që nuk arritën të marrin besimin qytetar për të siguruar ulëse në Kuvend.

Ministri në detyrës i Tregtisë dhe Industrisë nga Nisma Socialdemokrate, Endrit Shala, në zgjedhjet e 6 tetorit i ka marr vetëm 6,819 vota.

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, nga radhët e AKR-së, Valdribn Lluka ka marr 2,851 në zgjedhjet e sivjetme.

Edhe ministri tjetër në largim i Nismës, Skender Reçica i cili e ka udhëhequr Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka grumbulluar 3,597 vota.

Kurse, ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi (AKR) më 6 tetor ka arritur t’i marr 4,280 vota.

Ekrem Mustafa, ministër në detyrë i Punëve të Brendshme nga AKR-ja i ka marr vetëm 774 vota.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nacionale të këtij viti.

Nga kjo garë elektorale, Lëvizja Vetëvendosje ka dal partia e parë, me 220,811 vota ose 26.159% apo 32 deputetë; LDK më 6 tetori grumbulloi 205,458 vota apo 24.458% me 29 deputetë. Partia e tretë ka dalë PDK me 178,645 vota apo 21.163% apo 25 deputetë. Koalicioni AAK-PSD ka marr 96,883 vota apo 11,477% apo 14 deputetë.

Kurse, Lista Serbe ka marr 10 deputetë apo 57,015 vota apo 6.754%.