Punëtorët e Stacionit të Autobusëve “përplasen” me bordin, ndërhyn Policia

Punëtorët e Stacionit të Autobusëve janë “përplasur” sot pasdite me bordin e kësaj ndërmarrjeje, duke mos i lejuar anëtarët e bordit të futeshin në zyrat e ndërmarrjes.

Për t’ua mundësuar qasjen anëtarëve të bordit në zyrë është dashur ndërhyrja e Policisë.

Antarët e bordit, Saranda Sadriu, Kujtim Raqi, Merita Surkishi, Enis Aliu, janë penguar të hynë në zyret e ndërmarrjes nga stafi.

Naser Tasholli, shef i ndërrimit në këtë ndërmarrje, ka thënë se janë përpjekur të pengojnë hyrjen e bordit meqë, sipas tij, ka vendim nga gjykata që bordit ia ndalon hyrjen në ndërmarrje.

“Nuk i kemi leju, tash kanë hy brenda me polici. Ata nuk munden me hy se nuk janë bord i ligjshëm” – tha ai për KALLXO.com.

Sami Ahmeti, kryetar i Sindikatës, theksoi se bordi është zgjedhur jashtëligjshëm dhe se bordi punon kundërligjshëm dhe marrin vendime në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas tij, janë dy vendime sipas të cilave ky bord nuk mund të punojë deri në vendimin e formës së prerë.

Lidhur me ndërhyrjen e zyrtarëve policorë KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Policia, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Aktualisht, anëtarët e bordit janë në zyrat e ndërmarrjes, dhe te porta po qëndrojnë pjesëtarët e Policisë.

Kallxo.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje.