Rrahje dhe përdorim i armës për vijat e udhëtimit në Prishtinë
Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet hulumtimi lidhur me një problem i cili daton që nga paslufta. Autobusët ndërurbanë nuk e respektojnë ligjin dhe vazhdimisht janë futur në qytetin e Prishtinës. Në muajin e kaluar Inspektorati i Komunës së Prishtinës dhe ai i Ministrisë se Infrastrukturës kanë filluar një aksion për ndalimin e autobusëve ndërurbanë që të futen në Prishtinë.
Kompanitë që nuk e respektojnë ligjin dhe futen në Prishtinë kryesisht janë ato nga Mitrovica, Podujeva, Lipjani dhe të tjera.
Lejimi i kompanive të Lipjanit të futen brenda qytetit të Prishtinë ka arritur të krijojë probleme në mes këtyre kompanive dhe atyre të Fushë Kosovës pasi që me një memorandum bashkëpunimi mes dy komunave kompanitë nga Fushë Kosova lejohen të hyjnë në Prishtinë.
Mosreagimi i shtetit dhe lejimi i futjes së autobusëve që nuk kanë të drejtë ka bërë që kompanitë e udhëtimit ta marrin ligjin në duar. Ka pasur edhe gjuajtje me armë janë përdorur edhe shufra hekuri për shkak të vijave të udhëtimit.
Valdet Dumani, pronar i kompanisë “Pep Trans” nga Fushë Kosova, në shtatorin e vitit 2017 e kishte përdorur armën, ai kishte gjuajtur me armë gjatë një bashkëbisedimi me dy nga pronarët e kompanisë “Erona” nga Lipjani.
“Ne jemi dalë me folë me ta e kemi lanë me u taku ne një kafe në një fshat të Fushë Kosovës, se e kanë thirr vëllain tim dhe duke shkuar ata na kishin zënë rrugën me një veturë të tyre dhe ata na kanë sulmuar me veturë dhe aty e kam përdor armën ne drejtim të veturës por nuk kam pas qëllim me i lëndu dhe gjykata me ka dënuar me 4 vite burg për atë rast” – tha Dumani.
Mentor Fazliu, është pronar i kompanisë Erona dhe gjithashtu mban edhe vijat e kompanisë “Toni Drini”. Hulumtuesit e “Kallxo Pernime” janë takuar me të, por ai nuk ka pranuar të flas para kamerave, por ka mohuar se familjarët e tij e kanë sulmuar Dumanin në rastin ku ishte përdorur arma.
“Ai ka gjuajt me armë, ai mua m`i ka vra dy vëllezërit po i lumi Allah s’mi ka mbyt se ai m`i ka vra, nuk e kemi sulmu ne, po ai na ka sulmua neve” – tha Fazliu.
Fazliu gjithashtu nuk ka dashur të komentojë as momentet kur punëtoret e tij shihen me shufrën metalike në dorë.
Në një video-material shihen dy punëtorët e kompanisë “Erona” duke dalë nga autobusi i tyre dhe duke u afruar drejt autobusit “Pep Trans”, e këta të fundit nuk e hapin derën e autobusit pasi që njëri nga punëtorët e kompanisë “Erona” e mban një shufër metalike në dorë.
Edhe kompania tjetër “Afërdita” ka hyrë deri ditëve të fundit në Prishtinë duke mos e përdorur Stacionin e Autobusëve. Pronari i kompanisë “Aferdita”, Shefri Fazliu i cili thekson se nuk ka pasur probleme me kompanitë e Fushë Kosovës por e pranon edhe vet se që nga paslufta janë futur në qytetin e Prishtinës.
“Prej asaj dite që ka dalë Inspektorati, ne jemi duke hy në Stacion të Autobusëve ku e kemi peronin numër 11. Me asnjë problem deri me sot asnjë rast as në Polici, as me rrahje, as me shtymje, a me të shame nuk kena pas me asnjë firmë përveç dmth ajo firma tjetër ka pas problem ma qysh e cekët edhe vet ju, ka shumë probleme e tani shkaku i tyre jemi djegur edhe ne” – theksoi Fazliu.
Elmi Shala, pronar i kompanisë “Egzoni Tours” që operon nga fshatrat e Fushë Kosovës në Prishtinë dhe anasjelltas thekson se ka problem me kompaninë “Erona”, “Afërdita” dhe “Toni Drini”, kompani këto nga Lipjani, e të cilave nuk u lejohet të futen në qytetin e Prishtinës.
“Kemi shumë raste në Polici që jemi kacafytur, rrahur, kanosur e deri tek një koleg i joni që i duhet me shku në burg se u detyrua me përdor armën, shteti nuk merr veprime dhe ne detyrohemi të kacafytemi sepse kompanitë e Lipjanit na hynë në vijat tona. Nuk kemi lan vend pa bo ankesa në Ministri në komunën e Fushë Kosovës e komunën e Prishtinë por pa suksese deri me tani” – tha Shala.
Problem me kompanitë nga Lipjani ka edhe Ejup Berbatovci, nga kompania ‘Eni Trans’ nga Fushë Kosova. Ai thekson se ka telashe dhe nuk e di se çka ndodh ditën e nesërme sepse kanë shumë probleme me kompanitë e Lipjanit.
“Unë mbaj 5 familje me punën time e në autobus me punojnë djemt e po ashtu edhe nipi, jam i shqetësuar sepse nuk e di çka mundet me ju ndodh sepse të dalin në rrugë t’i marrin udhëtarët e na bëjnë edhe problem me Fushë Kosovë ku i kemi shkru komunës që sa herë por pa sukses” – theksoi Berbatovci.
Për pretendimet e kompanive të Fushë Kosovës, se kompanitë e Lipjanit ndalen dhe marrin udhëtarë në vendet që nuk janë të lejuara për ta në qytetin e Fushë Kosovë, Komuna e Fushë Kosovës ka thënë se nuk kanë rrugë të ndara urbane dhe ndërurbane, dhe inspektorati i komunës nuk është përgjegjës.
“Fillimisht ju njoftoj që rendi i udhëtimit lëshohet nga Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Mjedis i Komunës përkatëse dhe aprovohet nga Ministria e Infrastrukturës gjë për te cilën Inspektori i Komunikacionit nuk është përgjegjës. Tutje, sa i përket rendeve të udhëtimit ju kam bashkëngjitur nga një kopje të aprovuar nga Ministria e Infrastrukturës në të cilën ceken stacionet në territorin e Komunës së Fushë Kosovës nëpër të cilat kanë të drejtë të ndalen pasi që Fushë Kosova e ka vetëm një rrugë kryesore magjistrale dhe se e cila nuk ndahet për linja urbane (të cilat nuk i ka Fushë Kosova) dhe për ato nderurbane” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Fushë Kosovës.
Sqarime janë kërkuar edhe nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësonor dhe Infrastrukturës.
Në përgjigjen e tyre thuhet se në bazë të rendeve të udhëtimit që lëshohen nga MMPHI-ja këto kompani (“Afërdita”, “Erona” dhe “Toni”) nuk kanë të drejtë të qarkullojnë brenda qytetit të Prishtinës, por si pikë arritje dhe pikë nisje duhet ta shfrytëzojnë Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
“Shqetësimeve të operatorëve urban nga Fushë Kosova i’u kemi përgjigjur edhe më parë, por edhe tani përmes inspektimeve të përbashkëta me Inspektorët komunal të Prishtinës dhe Policinë e Kosovës secila palë konform kompetencave tona ligjore. Gjithsesi ju njoftojmë se ndaj operatorëve ndër-urban të lartë-cekur inspektorët tanë të transportit kanë marrë masa administrative dhe kundërvajtëse edhe në të kaluarën për mos shfrytëzimin e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.
Drejtori i Inspektoratit në Prishtinë, Florian Dushi, thekson se praktika e futjes së këtyre autobusëve në qytet duhet të ndalet dhe se kanë filluar aksionin, i cili nuk mund të përfundojë shpejt por do të vazhdojë sado që të ketë nevojë.
“Muajin e fundit ne kemi nisur një aksion, e i cili ka për qëllim që kompanitë ndër-urbane të shfrytëzojnë Stacionin e Autobusëve e mos të lejohen të futen ne qytet. Ky aksion ka me vazhdu jo vetëm me këto kompani që kanë kriju probleme por edhe me taksitë ilegale, kombibusët e autobusët e qyteteve tjera që pa pasur të drejtë hyjnë në Prishtinë” – tha Dushi.
Stacioni i Autobusëve do të duhej të ishte pika e fundit në Prishtinë për këto kompani nga Lipjani. Pse ata nuk hyjnë në Stacionin e Autobusëve dhe shkojnë në Prishtinë dhe nisen nga Pallati i Rinisë, ka bërë që kompanitë e Lipjanit dhe ato të Fushë Kosovës të konfrontohen edhe fizikisht. Pasi kompanive nga Fushë Kosova me një marrëveshje mes dy komunave u lejohet hyrja deri tek Pallati i Rinisë në Prishtinë.