Ilustrim

Punëtorët e sektorit publik ankohen për mos ekzekutimin e shtesave, flasin kryetarët e Sindikatave

Kryetarët e disa prej Sindikatave në Kosovë, thonë se punëtorët janë shprehur të pa kënaqur me pagat e shkurtit të cilat janë ekzekutuar sipas Ligjit për pagat në sektorin publik.

Ankesat e tyre kryesisht kanë të bëjnë më mosekzekutimin e shtesave për këtë muaj. Ministria e Financave ka njoftuar dje që shtesat për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars, pasi procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar.

Shqetësime lidhur me mospagesën e shtesave të rrezikshmërinë kanë shprehur zjarrfikësit e Kosovës.

Kështu ka thënë për KALLXO.com, kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, i cili ka vlerësuar se paga e tyre pa këto shtesa është e ulët.

“Muajin e kaluar kur është bërë publik vlera e koeficientit, ka qenë njoftim që zjarrfikësit të kenë ngritje page prej 200 euro, që në fakt i bije që paga bazë ka ngritje por zjarrfikësit këtë muaj nuk i kanë marrë shtesat e rrezikshmërisë në punë. Shqetësim i madh është për çështjen e rrezikshmërisë sepse është profesion me rrezikshmëri me të cilat ata ballafaqohen dhe nëse nuk kompensohen për rrezikshmëri është pagë shumë e ulët”- ka thënë Beka.

Ai tutje ka shtuar se një tjetër shqetësim është edhe ekzekutimi i pagës së njëjtë për pozitë të ndryshme.

“Dhe shqetësim tjetër ka qenë që ka pas laramani, do të thotë për pozitën, p.sh. udhëheqësi i ndërrimit është pagu njëjtë si zjarrfikësi. Por, komuna e Prishtinës ka lëshuar një njoftim që do të rregullohet kjo, tash duhet të presim”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Të pakënaqur me mosekzekutimin e shtesave janë edhe pjesëtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Zenuk Sadikaj, kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues, ka thënë se është krijuar “mjegull”, për çështjen e shtesave.

Ai për KALLXO.com ka thënë se stafi mbështetës dhe civil nuk janë të kënaqur as me përcaktimin e koeficientit për ta.

“Nuk jemi të kënaqur me atë që është bë edhe me koeficient por edhe me shtesat që nuk ju kanë dal stafit mbështetës, për të cilat nuk po dihet ende. Me koeficient jemi të kënaqur ne që jemi me uniforma kurse ata të stafit mbështetës dhe civil nuk janë të kënaqur as me koeficient. Është njëfarë mjegulle për punën e shtesave”- ka thënë ai.

Ndërsa, për pjesëtarët e stafit civil të Policisë së Kosovës pagat janë ekzekutuar pa rritje, e policëve të uniformuar pagat u kanë dalë pa shtesën e rrezikshmërisë.

Kështu ka njoftuar për KALLXO.com kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

“Ekzekutimi i pagave për policinë dhe pjesëtarët të gjithë, është bërë në ora 16:00. Reagimi është me pakënaqësi, për arsye se zyrtarëve policorë që janë të uniformuar pagat u kanë dalë pa shtesën e rrezikshmërisë kurse te pjesa e stafit civil kanë marrë pagë të njëjtë, pa rritje, si në janar”- ka thënë ai.

Ndërsa, Ali Gashi, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës, ka thënë se pagat e shërbyesve civil janë dëshpëruese.

Sipas tij, shumica e shërbyesve civil janë klasifikuar në kategorinë Profesional 3 dhe marrin pagë 380 euro.

“Dje kanë dal pagat në sektorin publik. Por pagat e shërbyesve civil janë dëshpëruese. Shumica e shërbyesve janë klasifikuar në profesional 3. Mund të them që edhe parimi për punë të njëjtë pagë të njëjtë nuk është respektuar. Rritja që është më e theksuar është deri në 40 euro, të dëmtuarit me të mëdhenj janë profesionistët që është dashur të hyjnë në profesional 1 dhe 2 që marrin pagë 380 euro”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Tutuje Gashi ka shtuar se për shtesat nuk mund të flasin ende pasi sipas tij, nuk kanë ndonjë variant të saktë për shtesa.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm deri në publikimin e këtij artikulli.

Dje gjatë ditës janë ekzekutuar pagat sipas Ligjit të ri për paga të punonjësve të sektorit publik.

Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se shtesat për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars pasi sipas tyre po vazhdon procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave nga ana e komisioneve.

“Përkundër punës intensive të komisioneve për përcaktim të shtesave, procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar, andaj njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars”- thuhet në njoftim.

Më 1 shkurt, Qeveria e Kosovës ka prezantuar vlerën e koeficionetit mbi të cilin do të llogaritet paga e 80 mijë punëtorëve të sektorit publik. Vlera e koeficientit për vitin 2023 do të jetë 105 euro ndërsa në vitin 2024 sipas Qeverisë do të jetë 110 euro.