Punëtorët e Qendrës së Studentëve kërkojnë pagesën për Trustin Pensional

Punëtorët teknikë të Qendrës së Studentëve në Prishtinë kanë protestuar sot para drejtorisë së kësaj qendreje duke kërkuar pagesën për Trustin Pensional, që sipas tyre, borxhi ka arritur deri në 40 mijë euro.

Punëtorët e Qendrës së Studentëve menaxhohen nga një kompani private, ndërsa kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë (SPSPK), Jusuf Azemi, ka thënë se edhe pse iu është premtuar që deri më 1 shtator të këtij viti, të iu kryhet borxhi, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Na është premtuar që me 1 shtator do të paguhet borxhi që ka kompania private për Trustin Pensional ndaj këtyre punëtorëve. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe kjo është hera e fundit që ne protestojmë. Pas datës 7 tetor këta punëtorë do të hyjnë në grevë, pasi momentalisht nuk dëshirojmë të prishim zgjedhjet”, ka thënë Azemi.

Kërkesa e këtyre punëtorëve gjithashtu është që të kthehen më menaxhimin publik, siç kanë qenë më herët, ndërsa menaxhimi i tyre është privatizuar rreth 8 vite më parë.

Këta punëtorë gjithashtu kishin mbajtur një protestë të ngjashme edhe në shkurt të këtij viti.

Punëtorët e Qendrës Studentore paralajmërojnë ndërprerjen e punës

.