Publikohen datat e Festivalit ‘Festari 2019’

Edicioni i 18-të i Festivalit të Kulturës dhe Verës, “Festari” do të mbahet nga 23 deri më 29 shtator 2019 në Suharekë.

Gjatë këtij festivali pritet të organizohen në sërë aktivitetesh kulturore duke përfshirë edhe kulturën e verës.

Refki Gollopeni, koordinator i kulturës në Komunën e Suharekës dhe i aktiviteteve të “Festarit” ka thënë për Kallxo.com se ky festival është festë zyrtare e të rinjve dhe e të gjithë qytetarëve të Komunës së Suharekës.

Sipas tij, përmes këtij festivali  krijohen vlera të reja shpirtërore, humane, artistike, sportive si dhe mëtohet ruajtja e vlerave të traditës.

“Festari” përkon edhe me gëzimin e vjeljes së rrushit dhe përpunimin e verës, me që siç ka thënë Gollopeni, rrushi dhe përpunimi i verës është karakteristikë mijëvjeçare e trevës së Suharekës.

“Qëllimi i “Festarit” është fisnikërimi shpirtëror, krijimi i vlerave humane, nxitja e punës kreative, tolerancës, integrimeve, respektit, bashkëpunimit, ruajtja e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe traditës, zhvillimi i shumë aktiviteteve kulturore, sportive, ekonomike etj.”, ka thënë koordinatori Gollopeni

Ai ka thënë gjatë këtij edicioni të Festar-it do te shënohet dita e partneritetit në mes të Komunës së Suharekës dhe qyteteve simotra: Saranda nga Shqipëria, Lilburn nga Shteti Xhorxhia në SHBA dhe qyteti i Fellbahut nga Gjermania.