Të martën nis festivali i kulturës dhe verës ‘Festari' në Suharekë

Festivali i kulturës dhe verës “Festari” nis edicionin e 21-të në Suharekë të martën, duke mbledhur artistë ndërkombëtarë nga dhjetë vende të botës përshirë Kosovën dhe Shqipërinë, për të ekspozuar dhe pikturuar vepra arti nga piktorë të huaj e vendor, me qëllim shkëmbimin e ideve e kulturave të ndryshme si përvojë kombinuese mes këtyre vendeve.

Shtetet pjesëmarrëse në festival mes tjerash janë, edhe Maqedonia e Veriut, Suedia, Turqia, SHBA-të, Kina, Mongolia, Gjermania, Bullgaria dhe Italia.

Kolonia Ndërkombëtare e Artit nesër hap zyrtarisht ekspozitën, me atë të piktorit kosovar Bardhyl Bejtullahut.

Gjatë gjithë javës do të pikturohet nga artistët pjesëmarrës dhe ditën e fundit do të ekspozohen në një gala të gjitha pikturat.

Kolonia Artistike do jetë aktivitet që do të realizohet çdo ditë ndërsa të tjerat të parapara janë: dhurimi i gjakut, dhurimi i veshëmbathjeve dhe ushqimeve, dhurimi i librave, punëtori arti nga nxënës vullnetarë, ekspozita “Festari ndër vite”, mbrëmja letrare artistike.

Përveç tyre janë paraparë edhe aktivitet sportive nga personat me nevoja të veçanta, festari i fëmijëve, muzikë popullore nga viset shqiptare, vizita në komunë, lojëra popullore, shfaqje teatrale, koncert, dhe e fundit është hapja e ekspozitës së përgjithshme të kolonisë artistike e cila do të përmbyllë edicionin e 21-të të Festarit.

Festivali do të zgjasë deri më 25 shtator. Programin e tij mund ta gjeni në këtë link.