Enver Sekiraqa në gjykatë (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Pse u kthye në rigjykim dosja për Enver Sekiraqën

 

Vrasja që ishte kryer me 30 gusht 2007, ku mbeti i vrarë polici Triumf Riza, tronditi Prishtinën dhe gjithë Kosovën.

Vrasjen e policit Triumf Riza me datën 30 gusht 2007 aktakuza e Prokurorisë thotë se e kishte porositur Enver Sekiraqa, ndërsa këmbëzën e revoles prej të cilës kishte shkrepur 11 plumba 3 prej të cilëve i shkaktuan vdekjen policit Riza, e kishte tërhequr Arben Berisha.

Arben Berisha u gjykua si ekzekutues i drejtpërdrejtë, ndërsa Enver Sekiraqa është gjykuar 2 herë si shtytës i Arben Berishës për të vrarë Triumf Rizën.

Enver Sekiraqa me datën 16 shtator 2019, ishte shpallur fajtor për herë të dytë për shtytjen e Arben Berishës për vrasjen e Triumf Rizës me 30 gusht të vitit 2007, i cili ishte dënuar me 30 vjet burgim.

Enver Sekiraqa, dënimin prej 30 vjetësh e dërgoi në Gjykatën e Apelit e cila me 6 mars 2020 mbajti seancën e kolegjit.

Apeli një muaj pas mbajtjes së kësaj seance vendos që të pranojë ankesën e përbashkët të dy avokateve të Enver Sekiraqës, avokate Kosovare Kelmendi dhe avokatit sllovak Bostjan Prenko duke e gjetur aktgjykimin me gabime të cilat rezultuan me kthimin e çështjes në rigjykim dhe rivendosje.

Me kthimin e çështjes penale në rigjykim, Enver Sekiraqa fitoi të drejtën që për herë të tretë ta sfidojë prokurorinë e Kosovës e cila e akuzon për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës.

 

Çështja penale u kthye në rigjykim për këto shkelje procedurale

 

 

Më 4 shtator 2018, Gjykata ka mbajtur gjykimin me trup gjykues të ndryshuar, pra trupi gjykues përbëhej pre Shashivar Hotit, kryetar i trupit gjykues dhe Beqir Kalludrës dhe Rrustem Begollit, anëtarë të trupit gjykues.

Më 17 tetor 2018, gjykata kishte mbajtur gjykimin me trupin gjykues  të përbërë nga Shashivar Hoti- kryetar i trupit gjykues, Shadije Gërguri dhe Beqir Kalludra, anëtarë të këtij trupi.

Sipas procesverbalit të datës 17 tetor 2018, nuk rezulton se shqyrtimi gjyqësor ka filluar rishtas ashtu siç kërkohet me nenin 311 të Kodit të Procedurës Penale.

Tutje, Apeli gjeti se dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i paqartë, i pakuptueshëm dhe kontradiktor në brendinë e tij, pasi që nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese për të akuzuarin nuk kuptohet me saktësi dhe qartësi të plotë se cilat veprimet konkrete i ka ndërmarrë i akuzuari në drejtim veprës penale “Shtytja në kryerjen e veprës penale Vrasje e Rëndë”.

Apeli thotë se ky dispozitiv më tepër përmban një përshkrim të ngjarjeve të ndodhura në mes të akuzuarit Enver Sekiraqa me viktimën Triumf Rizën para vrasjes së tij, përveç që në dy pasuese dhe atë në fillim të dispozitivit dhe në pasuesin e fundit të dispozitivit që cek “nxitur” Arben Berishën, duke mos konkretizuar dhe përshkruar ndonjë formë dhe mënyrë të nxitjes që ishte ndërmarrë nga i akuzuari për të shtytur Arben Berishën për të kryer veprën penale.

Pra dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar sipas Apelit nuk përmban përshkrim faktik të veprës penale për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor nga gjykata e shkallë së parë, prandaj, ky aktgjykim i këtillë juridikisht është i paqëndrueshëm pasi që i njëjti është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të përshkruaj veprën penale të shtytjes.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, Gjykata e shkallës së parë vetëm ka elaboruar nocionin e veprës penale “shtytje” nga komentari i Kodit Penal por nuk ka precizuar se cilin veprim inkriminues e ka ndërmarr i akuzuari Enver Sekiraqa në drejtim të nxitjes së Arben Berishës për të kryer veprën penale.

Nuk ka cekur nëse i akuzuari e bindi Arben Berishën për të kryer veprën penale për qëllim të premtimeve dhe përfitimeve materiale, duke e lutur apo duke e urdhëruar të njëjtin apo duke e kanosur në rast të mosbindjes ndaj tij, pra duke mos u përkufizuar në të lartcekura, por këtë duke vërtetuar nga gjendja e fakteve dhe provave materiale dhe personale të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.

 

Mosarsyetimi i fakteve vendimtare nga Gjykata e shkalles së parë

Sipas vendimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë në këtë çështje penale nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qarta për vërtetimin e faktit vendimtar mbi të cilën e ka bazuar aktgjykimin e ankimuar.

Apeli gjeti se i tërë arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë sillet rreth bastisjes së lokalit Sekiraqa me datën 30 gusht 2007 dhe në deklarimin e Drita Hajdarit si gjyqtare e procedurës paraprake.

Gjykata e Apelit thotë se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të plotë dhe të qartë nëse ky fakt vendimtar është vërtetuar duke u  mbështetur mbi provën konkrete respektivisht mbi procesverbalin me të gjitha të dhënat e tij me të cilën e vërteton apo nuk e vërteton faktin e ligjshmërisë së kontrollit të lokalit “Bar Sekiraqa” në ditën kritike.

 

Ligjshmëria e provave të siguruara nga PTK

Gjykata e Apelit gjithashtu ka cekur në vendimin e saj se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qarta nëse provat e siguruara nga PTK-ja për përcaktimin e hartografisë të numrave të telefonave të caktuar janë provat të pranueshme dhe nëse me urdhër të gjykatës janë ruajtur ato.

Sipas vendimit të Apelit thuhet se ndonëse gjykata e shkallës së parë  ka dëgjuar dëshmitarin Qenan Qerimi – Menaxher i Zyrës Ligjore për bashkëpunim me agjensionet për zbatimin e ligjit nuk ka dhënë arsye të qartë nëse nga kjo dëshmi ka vërtetuar se këto të dhëna ishin ruajtur me vendim të gjykatës.

Aktgjykimi u bazua në prova që s`u shqyrtuan në gjykim, dëshmia e dëshmitarit D2!

Gjykata e Apelit, ka gjetur se nga procesverbali i shqyrtimit gjyqësor të datës 11.07.2019, nuk rrjedh në asnjë mënyrë që të jetë lexuar në veçanti dëshmia e dëshmitarit D2.

Në këtë procesverbal nuk është dhënë pëlqimi nga ana e palëve e as që është marrë vendim nga ana e trupit gjykues që deklarata e dëshmitarit D2 të lexohet, duke u dhënë mundësi palëve në procedurë që të shprehin pretendimet e tyre lidhur me kundërshtimin e kësaj deklarate.

 

Kredibiliteti i dëshmisë së dëshmitarit vihet në pikëpyetje?

Gjykata e Apelit, ka gjetur se gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar saktësinë e deklaratës së dëshmitarit D2.

Kjo ngase në deklaratën e datës 2 qershor 2015 dhe 18 nëntor 2015,  ka kundërthënie, pasi që në arsyetimin e aktgjykimit gjykata vërteton se (dëshmitari D2) “…ditën kritike kishte qenë brenda “Kafe Bar Sekiraqa”, kishte dëgjuar të akuzuarin Enver Sekiraqa derisa me zë kishte thënë: ”Kjo punë duhet të kryhet sot”.

Ndërsa nga procesverbali i shqyrtimi kryesor i datës 2 qershor 2015, në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues: ”Duhet të bëhet sot”, dëshmitari D2 është përgjigjur, “Unë i kam dëgjuar fjalët nga zyra e tyre, por kush e ka thënë këtë nuk e di”.

 

Udhëzimet që duhet t’i ndjek gjykata e shkallës së parë në rigjykim janë!

Apeli vlerëson se gjykata e shkallës së parë duhet të theksojë saktë se cilat janë veprimet inkriminuese që i akuzuari i ka kryer apo nuk i ka kryer në këtë çështje penale.

Duhet të rivlerësoj ligjshmërinë e kontrollit të lokalit “Bar Sekiraqa” në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, duke u bazuar në rrethanat e fakteve dhe më pas të vlerësoj nëse këto provat e mbledhura gjatë kontrollit në lokal janë të pranueshme.

Të rivlerësojë me saktësie nëse provat e siguruara për trekëndëzimin e numrave të telefonave përkatës ishin të ruajtura me vendim gjyqësor dhe në mënyrë ligjore.

Gjykata duhet të përfshijë bazën ligjore për ruajtjen e tyre, dhe të nxjerr konkludim të drejt dhe të ligjshëm – se ruajtja e këtyre të dhënave, përkatësisht shkatërrimi i tyre a duhet të bëhet sipas vendimit gjyqësor apo ruajtja dhe shkatërrimi janë kategorizuar si Ex-lege.

 

Apeli thotë të dëgjohen dëshmitarët Abedin Canolli dhe Xhafer Bislimi!

Poashtu Gjykata e Apelit ka udhëzuar që në rigjykim duhet të dëgjohen dëshmitarët Abedin Canolli për rrethanat e dëshmisë së tij të dhënë në procesverbalin në polici lidhur me rolin e të akuzuarit në grupin e tij dhe njerëzit që e rrethonin atë dhe si ata i bindeshin urdhrave të tij kur ai i ngarkonte me detyrat nga ai dhe Xhafer Bislimi, lidhur me njohuritë e tij për ditën kritike dhe takimin e tij me Arben Berishën në ditën kritike në lokalin “Sekiraqa”.

Apeli poashtu thekson se në rigjykim Gjykata e shkallës së parë duhet të veprojë në pajtim me vërejtjet e lartcekura, t’i eliminoj të gjitha shkeljet e cekura, t’i administroj të gjitha provat, dhe të njëjtat t’i vlerësoj në pajtim me dispozitën e nenit 370 të KPP-së, dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave të nxjerr konkluzione të drejta të ligjshme e të bazuara në provat e administruara e mandej të merr vendim të drejt dhe ligjor, shkruhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni në këtë LINK