Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PSD: “Simboli i Shovinizmit bëhet faltore, bekoi Albin Kurti”

Aktivistët e Partisë Social Demokrate kanë vendosur mbishkrimin “Simboli i Shovinizmit bëhet faltore, bekoi Albin Kurti” në hyrjen dhe muret e Kishës Ortodokse në Prishtinë.

Ky grafit është realizuar pasi dje klerikë të Kishës Ortodokse Serbe kanë mbajtur liturgji fetare në objektin e papërfunduar të kishës, e cila ndodhet në oborrin e Kampusit Universitar të Prishtinës.

Zgjim Hyseni nga PSD-ja tha se dje simboli i shovinizmit është tentuar të bëhet faltore para ‘hundëve’ të institucioneve të Kosovës, në prag të dialogut me Serbinë. Ai tha se religjioni po përdoret për interesat supremaciste të Serbisë.

“Institucionet thanë dje, specifikisht ministri i Kulturës nuk e kanë qenë në dijjeni për këtë gjë, atëherë krejt pozitat nga Ministri i Brendshëm e deri tek Shërbimi i Intelegjencës duhet të dhënë përgjegjësi, dorëheqje.  Nëse ndodh mes Prishtinës, pikë të ditës, pas këtij veprimi nuk jemi të sigurtë nën udhëheqjen e tyre” tha Hyseni.

Hyseni pohoi se ata kanë fshirë grafitin që e kishte realizuar dikush në mëngjes “Jesus nuk i do serbët (Jesus hates serbs) për shkak se nuk është qëllimi të nxitet urrejtje fetare as ndëretnike.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dioçeza e Rashkës dhe Prizrenit dje përmes një njoftimi publik e kanë quajtur këtë si herën e parë që mbahet liturgji në këtë objekt që nga paslufta. E fundit herë, sipas tyre, ka qenë liturgjia e mbajtur më 1998, ndonëse nuk kanë treguar kohën e saktë të mbajtjes së saj.

Ka më shumë se tre vite pasi Universiteti i Prishtinës kishte dorëzuar padi në Gjykatë lidhur me një parcelë toke brenda kampusit të Universitetit “Hasan Prishtina”.

Në mars të vitit 2017, Universiteti i Prishtinës e kishte humbur gjyqin e parë ndaj Kishës Ortodokse lidhur me pronësinë e tokës. Gjykata e kishte konsideruar të tërhequr këtë padi si pasojë e mungesës së përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në gjyq, përkatësisht në seancat që u mbajtën në vitin 2015.

Sipas gjykatës, arsyetimi i UP-së për mospjesëmarrje në seancë në vitin 2015, kishte qenë fakti se ka pasur protesta të shumta para Kishës Ortodokse që gjendet brenda tokës së kontestuar.

Objekti i nisur për Kishë Ortodokse në hapësirat e UP-së, kishte filluar në vitin 1992 në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviqit, e në gurthemelin e saj, ishte bërë publike se kishin marrë pjesë edhe njerëz me të kaluar të rëndë kriminale, siç ishte edhe Zheljko Razhnatoviç i njohur si Arkani. Ky objekt, përkundër që kishte nisur ndërtimin me 1992, nuk kishte arritur të përfundohej asnjëherë.

 

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Çeku: Policia nuk ka qenë e informuar për aktivitetin në kishën ortodokse

Klerikë ortodoksë serbë organizuan liturgji në kishën ortodokse në oborr të UP-së në Prishtinë