Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Çeku: Policia nuk ka qenë e informuar për aktivitetin në kishën ortodokse

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar lidhur me aktivitetin e kryer gjatë ditës së sotme në kishën ortodokse që gjendet në kampusin e Universitetit të Prishtinës.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për këtë aktivitet, gjë që sipas tij, përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike.

Gjatë ditës së sotme jemi njoftuar për një aktivitet të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë të zhvilluar në strukturën e papërfunduar, e cila ishte ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit represiv serb mbi Kosovën. Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë”, ka thënë Çeku.

 Ai ka thënë se prona ku ndodhet kjo kishë është ende në procedurë kontestimore me Universitetin e Prishtinës.

Çeku ka bërë thirrje që të mos ushtrohet presion mbi institucionet e drejtësisë.

“Prona ku është ngritur struktura e papërfunduar aktualisht është në procedurë kontestimore dhe ku paditës është Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Për këtë arsye, asnjëra palë që është pjesë e procedurës gjyqësore nuk guxon të ushtrojë presion mbi gjykatat. Bëjmë thirrje që situatat e tilla të mos përsëriten dhe palët e interesit në këtë rast gjyqësor të përmbahen nga ushtrimi i presionit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi institucionet e drejtësisë”, është shprehur tutje ai.

Çeku theksoi se liria fetare në Kosovë është e garantuar me Kushtetutë, por veprimtaria fetare nuk duhet të përdoret për qëllime politike.

“Liria e veprimtarisë fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe ajo mbrohet me të gjitha mekanizmat institucional. Mirëpo, veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cënojë rendin, ligjin dhe drejtësinë. Për paqen që e gëzojmë sot kemi paguar çmim të lartë, prandaj institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë veprime që cënojnë sigurinë publike, ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit dhe nxisin konflikte duke e rrezikuar bashkëjetesën mes komuniteteve”, theksoi Çeku.

 

Klerikë ortodoksë serbë organizuan liturgji në kishën ortodokse në oborr të UP-së në Prishtinë