Pas ‘Humbjes’ në Gjyq Nga Kisha, UP Synon Kthimin e pronave Tjera

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, tha se nuk kanë hequr dorë nga pronat e UP-së.

Këto deklarata, Dema i bëri sot në një konferencë për media pasi publikimit të shkrimit nga KALLXO.com për vendimin e Gjykatës së Apelit e cila ka hedhur poshtë padinë e UP-së për pronësin e tokës prej 4 hektarësh ku gjendet kisha ortodokse “ Sveti Nikolla”.

“UP-ja asnjëherë me asnjë kusht nuk do të heqë dorë nga kthimi i gjitha këtyre pronave, qofshin ato të marra në mënyrë diskriminuese nga ish sistemi i Millosheviqit ose të uzurpuara. Pra do t’i drejtohemi organeve siç kemi bërë deri tash se ato prona t’i kthejmë sepse Universiteti i Prishtinës ka nevojë shumë të madhe për prona”, tha Dema.

Ndërsa Sekretari i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi paralajmëroi padi të re për pronën prej 4 hektarësh ku gjendet sot kisha e pa-funksionalizuar.

“Ne nuk kemi marrë veprime tjera të reja pas vendimit të parë kur na ka hedhë poshtë arsyeshmërinë që e kemi marrë Gjykata Themelore, dhe është dashur të presim vendimin e Gjykatës së Apelit sepse kemi shpresuar se ata do të jenë pak më të drejtë dhe do të japin një qëndrim në këtë çështje. Njëjtë kanë vepruar edhe ata, ne kemi marrë aktvendimin me 3.11.2017, dhe menjëherë kemi filluar përgatitjen për inicimin e padisë së re ndaj përfaqësuesit të Kishës ortodokse”, tha Kelmendi.

http://kallxo.com/ja-padi-te-re-per-token-e-kishes/

KALLXO.com ka raportuar të hënën se në vendimin e Gjykatës së Apelit të këtij viti  thuhet se vendimi i Gjykatës Themelore në vitin 2015 kishte qenë i bazuar meqenëse pala paditëse, përkatësisht UP-ja nuk ishte paraqitur në seancën kryesore lidhur me këtë kontest.

http://kallxo.com/ekskluzive-humb-gjyqin-toka-ne-kampus-mbetet-kishes/

I pyetur nga KALLXO.com se përse përfaqësuesit ligjor të UP-së nuk kanë marrë pjesë në seancë për të mbrojtur qëndrimin e tyre si palë paditëse, Kelmendi tha se u është pështjell ftesa për pjesëmarrje në seancë.

“Për shkak të protestave që kanë qenë dhe tollovisë që ka qenë para sportelit kur është dorëzuar nga postieri, është harruar zarfi në zyrën e pranimit i cili ka qenë i pa hapur dhe me vonesë është dorëzuar tek ne.  Pasi ka ardh vendimi kemi kërkuar ku ka ftesë dhe e kemi gjetur që ftesa ka qenë në një zarf që për shkak të tollovisë ka ngelur”, deklaroi Kelmendi.

Krejt në fund, sekretari Kelmendi tha se Gjykata e Apelit nuk e ka konfirmuar se prona i takon Kishës Ortodokse por vetëm ka konsideruar se është tërhequr padia nga ana e Universitetit të Prishtinës.