Studentët Kërkojnë Shndërrimin e Kishës në Muze

Studentë nga organizata “Demokracia studentore” organizuan një aksion simbolik para Kishës së papërfunduar ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës duke kërkuar shndërrimin e saj në muze.

‘Kërkojmë që objekti i vendosur me dhunë nga Millosheviqi në ambientin universitar të shndërrohet në muze dhe të prezantohen masakrat dhe gjenocidi që ka kryer Serbia në Kosovë”, thuhet në panon e vendosur nga këta studentë në muret e kishës.

Aksione të tilla janë ndërmarrë periodikisht nga studentë në javët e kaluara me kërkesa edhe për shkatërrim të objektit që sipas tyre po e cenon hapësirën universitare.

Aksioni i Studentëve Para Kishës

Mexhit Ramusa, kryetar i kësaj organizate studentore tha se janë kundër funksionalizimit të kishës përveç nëse ajo kthehet në muze që dëshmon për krimet e luftës.

“Kërkojmë që ky objekt të jetë muze që do të shërbejë për prezantimin e masakrave dhe gjenocidit që ka kryer Serbia në Kosovë, që te jenë të vetëdijshëm të gjitha gjeneratat për këtë krim”, tha Ramusa.

Ndryshe prej herëve tjera, Policia e Kosovës nuk e ndaloi vendosjen e panos në muret e kishës.

Studentët u zotuan për aksione të mëtutjeshme deri në arritjen e qëllimeve dhe përmbushjen e kërkesave.

Idenë për shndërrimin e saj në muze e kishte dhënë edhe Teuta Hoxha nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në një opinion për gazetën Jeta në Kosovë.

Kisha Ortodokse Duhet të Bëhet Muze i Historisë së Afërt të Kosovës