Protestojnë punëtorët e KEK-ut, kërkojnë rritje të pagave

Me kërkesën për rritje të pagës dhe rritje të vlerës së shujtës së ushqimit, sot kanë protestuar punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Nexhat Llumnica nga Këshilli Grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) i bëri thirrje Qeverisë që të ndikojë te bordi për t’i rritur pagat për punëtorët e KEK-ut.

“Punëtorët e KEK nuk janë të veshur me ngjyra politike e partiake, por janë të veshur me rrobat e KEK, janë të veshur me uniformë, deri në ora 3 ose në ora 4, prandaj lus Qeverinë që të ndikojë të bordi, menaxhmeti i KEK të ndikojë që ta rris pagën e punëtorëve më të meritum në Kosovë, pagën e dritës së ushqimit” – tha ai.

Sipas tij, vlera e shujtës për punëtorët është qesharake dhe duhet të rritet.

“Ta rris shujtën e ushqimit sepse është hajgare me thanë se dikush e ka një shujtë të ushqimit 1 euro e 74 cent sot me inflacionin që ka ndodhë”- tha ai.

Nga Sindikata e Administratës Publike të Kosovës foli Ali Gashi, i cili tha që është për keqardhje sesi nuk i është ofruar zgjidhje punëtorëve por janë detyruar të dalin në rrugë për të protestuar.

“Edhe sot jemi këtu pa dëshirën tuaj dhe tonën që të protestojnë për të drejtat tona elementare. Është për të ardhur keq që Qeveria i qet në protestë heronjtë e Kosovës, ata të cilët na e ndriçojnë natë, që kanë dhënë gjithçka për Kosovën”- tha ai.

“Ne jemi dhe do vazhdojmë të jemi krenar se ju dhatë gjithçka që Kosova të ndriçohet, që Kosova të zhvillohet. Ne në kohën kur bota kishte krizë për energji, ju nuk na latë asnjëherë pa të. Ndoshta dikujt nga Qeveria i ka interesuar që të dështojë KEK por nuk nuk ja ka arritur”- theksoi ai.

Selatin Sadiku nga BSPK tha që punëtorët e KEK-ut punojnë në kushte të vështira ani pse ka buxhet.

“Kushte më të rënda e më të vështira se punëtorët e KEK nuk ka, në këtë vit na kanë vdekur 12 punëtorë. Punëtorët tonë me duart e tyre e mbajnë KEK-un e shtetin gjallë, buxheti ma i madh është i KEK-ut. Ne jemi shtet në shtet”- tha ai.

Edhe më 16 mars, Sindikata e Re e Korporatës Energjetike e Kosovës ka mbajtur protestë përmes të cilës është kërkuar rritje e pagave për të gjithë punëtorët.

Krahas rritjes së pagës punëtorët e KEK-ut, kërkojnë edhe pagesë më të lartë për shujtë, pagesën për punën në vikend sipas Ligjit të Punës, si dhe respektimin e vendimeve të gjykatës po për këtë kërkesë.

https://kallxo.com/lajm/sindikata-e-re-e-kek-ut-ne-proteste-kerkojne-rritje-e-pagave-per-te-gjithe-punetoret/