Sindikata e Re e KEK-ut në protestë, kërkojnë rritje e pagave për të gjithë punëtorët

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike e Kosovës ka mbajtur protestë përmes të cilës është kërkuar rritje e pagave për të gjithë punëtorët.

Krahas rritjes së pagës punëtorët e KEK-ut, kërkojnë edhe pagesë më të lartë për shujtë, pagesën për punën në vikend sipas Ligjit të Punës, si dhe respektimin e vendimeve të gjykatës po për këtë kërkesë.

Kryetari i Sindikatës së Re, Nexhat Llumnica tha se ngritja e pagave duhet të jetë e domosdoshme, pasi sipas tij është arritur të tejkalohet prodhimi i energjisë.

“Punëtorët e KEK-ut kanë punë shumë të rëndë, por kanë ushqim të lehtë. Ushqimi është 1.74 cent, që nuk mund të marrësh asnjë byrek me jogurt. Ngritja e pagave duhet të jetë e domosdoshme për arsye se kemia arritur të kalojmë prodhimin, kemi arritë të eksportojmë 10% të prodhimit dhe të bëjmë Kosovën dritë, por menaxhmenti po i injoron punëtorët”- tha Llumnica.

“I bëjmë thirrje bordit drejtues të KEK-ut që të kenë parasysh këërkesat tona, ngritjen e pagave. Është gjendje e mjerueshme, pajisjet profesionale mungojnë”- shtoi ai.

Ndërkaq, Xhelal Jashari nga kjo sindikatë ka kërkuar nga menaxhmenti të rrisin pagat ose siç paralajmëroi ai, në prill punëtorët do të hyjnë në grevë.

“I bëjmë apel këtij menaxhmenti ose të ngritë pagën ose ne do të hyjmë në grevë dhe Kosova do të jetë në terr. Nuk ka alternativë tjetër, jemi lodhur, të ketë ngritje të pagave”- deklaroi Jashari.

Kryetari Llumnica u shpreh se më 3 prill të këtij viti do të diskutojnë për mbajtjen e grevës.