Protesta e grupit “Asnji cent ma shumë” kundër shtrenjtimit të mundshëm të rrymës

Protestë kundër shtrenjtimit të rrymës, kërkohet të mos aprovohet bllok-tarifa dhe të nacionalizohet KEDS-i

“Grupi Protestoj” ka mbajtur protestën me qëllim të kundërshtimit të propozimit për shtrenjtimin e rrymës.

“Asnjë cent më shumë”, “S’paguaj edhe për veriun”, “Dojmë rrymë, jo arsyetime”, “Albin rrenci”, “Ngrohja nuk është komoditet”, “Qeveri e popullit apo e privatnikut”, “Blloko tarifën”, “Rryma nuk është lluks”, kanë qenë disa nga thirrjet e protestueseve.

Sipas njërës nga organizatorët e kësaj proteste, Anita Mjekut dy kërkesat kryesore janë: Mosaprovimi i bllok-tarifës së propozuar nga Zyra e Rregullatorit të Enërgjisë (ZRrE) për shtrenjtim të rrymës dhe shtetëzimi i Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (KEDS).

“Që nga dhjetori i vitit të kaluar jemi shantazhuar vazhdimisht me reduktime e rritje çmimesh të energjisë, e jemi tallur nga institucionet që janë zgjedhur për të na përfaqësuar”, ka thënë Mjeku.

Sipas saj propozimi i ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës do t’i varfëroj qytetarët.

“Ky propozim, thellësisht i padrejtë dhe zhvatës, është një tentativë tjetër për të na faturuar neve qytetarëve, pasurimin e bizneseve”, është shprehur ajo.

E njëjta tha se sipas këtij propozimi nga ana e ZRrE-së qytetarët do ia paguajnë rrymën bizneseve dhe veriut.

“Sipas propozimit të ZRrE-së, qytetarët e Kosovës, me një pagë minimale prej 180 eurosh e një numër të madh të papunësuarave, do t’ua paguajnë rrymën bizneseve, plus veriut”, ka thënë Mjeku.

 

28 janar 2022 përfundon faza e konsultimit publik për propozimin e ZRrE-së për vendosjen Bllok tarifës. Pas kësaj date, Qeveria e Kosovës pritet t’ia miratojë propozimin e ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës dhe rritjen prej 9% të çmimit të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët që shpenzojnë deri në 600 kWh, ndërsa rreth 200% rritje të çmimit për konsumatorët/et që e tejkalojnë këtë shumë.

“Vendosja e bllok-tarifës do ta afektojë jetën dhe buxhetin e secilit prej nesh. Gjatë sezonës së dimrit konsumi energjetik i një familje mesatare në Kosovë e kalon në çdo formë 600 kWh. Kjo do të thotë që nëse një familje e ka paguar një faturë prej 58 eurove me tarifën e re ata do të paguajnë rreth 108 euro”, ishte thënë në njoftimin paraprak për mbajtje të protestës.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Kuvendi po ashtu ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme me një pikë të rendit të ditës, e që ka qenë debat parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Në mungesë të kuorumit Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për sot votimin e draft-rezolutës së paraqitur nga PDK, të mbështetur edhe nga LDK e AAK, për pengimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike.