Kuvendi pa kuorum, shtyhet për të mërkurën votimi i rezolutës së PDK-së që parandalon shtrenjtimin e rrymës

Në mungesë të kuorumit Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për të mërkurën votimin e draft-rezolutës së paraqitur nga PDK, të mbështetur edhe nga LDK e AAK, për pengimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“45 deputetë janë për momentin. Nuk kemi kuorum për të vendosur për këtë”, ka konstatuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, e ka paraqitur draft-rezolutën.

“Me propozim të grupit parlamentar të PDK-së, grupit parlamentar të LDK-së, grupit parlamentar të AAK-së dhe të mbështetur nga deputetë tjerë propozon këtë draft-rezolutë. Kuvendi i Kosovës obligon Qeverinë e Kosovës që të refuzojë propozimin aktual të ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe të kërkojë propozim alternativa të reja që kanë për bazë mbrojtjen e konsumatorëve”, tha Tahiri.

Draft-rezoluta përmban këto pika:

-Të shtyhet implementimi i tarifave të reja drejtë muajve të ngrohtë në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi zëvendësimi me burime alternative të ngrohjes.

-Çdo propozim eventual për rritje të tarifave të shoqërohet me normë të reduktuar të TVSH-asë në zero.

-Të ndiqen modele të shteteve evropiane që kanë praktikuar një model të tillë.

-Të ofrohet sa më parë alternativa afatgjate e furnizimit me energji të qëndrueshme dhe të përballueshme në këtë drejtim të ndërpriten vonesat e paarsyeshme dhe të dëmshme të Qeverisë në lidhje me gazifikimin e Kosovës një projekt që shtetet e rajoni e kanë nisur tashmë.

– Kuvendi i Republikës së Kosovës e obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës që brenda afatit kohor prej 15 ditësh të sjell dhe të prezantoj në Kuvend një raport me shkrim për moszbatimin e pikës 5 të vendimit nr.08R/01 të Kuvendit të datës 06/05/2021 për mossigurimin në procesin e  futjes në sistem të faturave sipas ligjit në fuqi të konsumatorëve në komunat përkatëse në veri të Republikës së Kosovës.