'Asnjë cent ma shumë', nesër protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës

Për të kundërshtuar propozimin për shtrenjtimin e rrymës nesër (e mërkurë) në ora 12:00 është paralajmëruar protestë qytetare.

“Grupi Protestoj” ka njoftuar se protesta pritet të nisë tek sheshi “Zahir Pajaziti”, përfundon tek ndërtesa e Qeverisë dhe ka dy kërkesa kryesore: Mos-aprovimi i bllok tarifës së propozuar nga ZRrE për shtrenjtim të rrymës dhe nacionalizimi i KEDS-it.

Më 28 janar 2022 përfundon faza e konsultimit publik për propozimin e ZRrE-së për vendosjen Bllok tarifës. Pas kësaj date, Qeveria e Kosovës pritet t’ia miratojë propozimin e ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës dhe rritjen prej 9% të çmimit të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët që shpenzojnë deri në 600 kWh, ndërsa rreth 200% rritje të çmimit për konsumatorët/et që e tejkalojnë këtë shumë.

“Vendosja e bllok-tarifës do ta afektojë jetën dhe buxhetin e secilit prej nesh. Gjatë sezonës së dimrit konsumi energjetik i një familje mesatare në Kosovë e kalon në çdo formë 600 kWh. Kjo do të thotë që nëse një familje e ka paguar një faturë prej 58 eurove me tarifën e re ata do të paguajnë rreth 108 euro”, thuhet në njoftim.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Kuvendi dje ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme me një pikë të rendit të ditës, debat parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Në mungesë të kuorumit Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për të mërkurën votimin e draft-rezolutës së paraqitur nga PDK, të mbështetur edhe nga LDK e AAK, për pengimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike.