Festivali 'Moisiu’ - Nëntori mbledh trupat teatrale shqiptare në Tiranë

Edicioni i dytë i Festivalit të Teatrit Shqiptar – “Moisiu”, do të mbahet nga 20 deri më 27 nëntor 2023 në Tiranë.

Ky festivali është themeluar nga Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Shqiptar në Shkup dhe Teatri Kombëtar në Tiranë.

Edicioni i parë i këtij festivali është mbajtur në Shkup dhe sipas rrotacionit të arritur nga themeluesit këtë vit mbahet në Tiranë dhe vitin tjetër në Prishtinë.

Në edicionin e sivjetmë të festivalit “Moisiu” do të marrin pjesë 12 shfaqje teatrore, nga katër shfaqja nga secili shtet.

Kushtrim Sheremeti, drejtori i TKK-së ka thënë për KALLXO.com, se në mbyllje të këtij festivali do të jepet edhe premiera e kooproduksionit të parë të teatrove kombëtare shqiptare, “Shtëpia e Zotit” me regji të Ilir Bokshit.

Sheremeti ka thënë se ky festival tashëm është pjesë e marrëveshjes për bashkëpunim teatror në mes të Ministrisë së Kulturës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

“Edhe këtë edicion sikurse edicionin e kaluar në tri teatrot po vazhdojmë të mësojmë për të bërë një organizim të tillë të madh, edhe shpresojë se të gjitha mësimet që i kemi marrë edhe prej këtij edicioni do t’ i zbatojmë në edicionin e Prishtinës, e rëndësishme është  se ky festival është bërë pjesë e marrëveshjes për bashkëpunim teatror në mes të Ministrisë së Kulturës së Kosovës asaj të Shqipërisë”- ka thënë ai.

Shfaqjet kosovare që do të prezantohen në edicionin e sivjetmë të festivalit “Moisiu” në Tiranë janë “Fausti”, “Hana po fluturon”, “Masë për masë” dhe “1984”.

Edhe këtë viti do të ndahen 12 çmime, nga një juri e cila sipas marrëveshjes do të përbëhet nga një anëtar nga vendi mikpritës – Shqipëria; 2 nga Kosova e nga Maqedonia e Veriut.

Edicioni i 3-të i Festivalit ‘Moisiu’ do të mbahet në muajin nëntor të vitit të ardhshëm në Prishtinë.