Protesta e FIT-it, Hardinaj: Kryeministër, çka po pret?

Pjesëtarët e FIT-it, Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës kanë protestuar para Qeverisë për të shprehur pakënaqësitë me shtesat e rrezikshmërisë, pagën, por edhe shtesat e tjera.

Kërkesat e këtij njësiti janë që të kategorizohen si njësi të veçanta dhe të përfshihen në listën e ekspertëve; rrezikshmëria të caktohet në 50% të pagës; si dhe shtesat për kushte specifike të punës.

Kjo njësi ka ftuar kryeministrin dhe Qeverinë që të marrin hapa konkret për realizimin e kërkesave, që i kanë quajtur legjitime.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i cili përmes Facebook-ut i është drejtuar Kryeministrit Kurti që t’i plotësoj kërkesat e kësaj njësie.

“Kryeministër, çka po pret? Policia ka të drejtë, respektojeni!”-ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Një pjesëtar i këtij njësiti lexoi një deklaratë para gazetarëve, gjatë protestës që u mbajt para Qeverisë së Kosovës.

Ai tha se ka 10 vite që kanë marrë premtime për benefite të cilat ju takojnë, mirëpo deri më tani këto premtime asnjëherë nuk janë realizuar.

“Fillimisht mospërmbushja e kërkesave tona ka qenë mungesa e ligjit të pagave, mirëpo edhe 9 muaj pas miratimit të këtij ligji, nuk janë marrë parasysh kërkesat tona. Përkundrazi, ka pasur edhe ulje në kategorizimin e rrezikshmërisë, madje shtesë e veçantë të cilën e kemi gëzuar nga viti 2010 u ndalua e tëra”-ka thënë ai.