Foto: Ministria ukrainase e Mbrojtjes / facebook

Prokuroria ruse konfirmoi 15 mijë raste të mobilizimit të paligjshëm

Prokuroria ruse regjistroi 15 mijë raste të mobilizimit të paligjshëm të qytetarëve, raporton TASS, duke iu referuar zëvendësprokurorit të parë të përgjithshëm të Rusisë, Anatoly Razinkin. Sipas tij, të gjitha “aktivitetet e paarsyeshme të rekrutimit” aktualisht janë ndërprerë.

Në bazë të numrit të të mobilizuarve që nga shtatori i vitit të kaluar, të publikuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes, pothuajse një në njëzet rekrutë i është nënshtruar aktiviteteve të paligjshme.

Më 21 shtator të vitit të kaluar, Vladimir Putin shpalli mobilizim të pjesshëm, për vazhdimin e pushtimit në territorin e Ukrainës.

Sipas të dhënave zyrtare, mbi 300 mijë rusë që gjenden në përbërjen rezervë, janë thirrur për shërbimin ushtarak. Gjatë mobilizimit, nëpër rajone janë zbuluar shkelje të shumta: në luftë janë thirrur baballarë me më shumë se dy fëmijë, persona me probleme shëndetësore, pa përvojë luftarake dhe mbi moshën e kufizuar.

Në fund të vitit të kaluar, pas ankesave të shumta, Andrey Kartapolov, kryetar i Komitetit të Mbrojtjes në Dumën Shtetërore, tha se 10 mijë njerëz të mobilizuar ilegalisht, janë kthyer në shtëpi.

Megjithatë, nuk ka statistika zyrtare se sa persona, që nuk përshtaten në kategoritë e shërbimit ushtarak, mbeten në front dhe përpiqen të kontestojnë paligjshmërinë e statusit të tyre.

Ka raportime të rregullta në media për rekrutët që dërgohen në vijën e parë të frontit, pa stërvitje dhe furnizime të duhura.

Sipas burimeve të hapura, numri i të mobilizuarve dhe të vrarëve në territorin e Ukrainës, lëvizë në disa qindra./REL