Foto: KALLXO.com

Prokuroria kërkon paraburgimin për zyrtarët e Komunës së Suharekës - VIDEO

Prokuroria në Prizren, të enjten ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabani dhe zyrtarin komunal, Berat Kabashi.

Dy zyrtarët publik, Shabani dhe Kabashi u arrestuan të martën me dyshimin se kanë keqpërdorur pozitat e tyre në një tender dhjetëra mijëra euro për shtrimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht të Suharekës gjatë vitit të kaluar.

Të dyshuarit, kanë qenë të angazhuar në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e kontratës në fjalë ku vlera sipas Prokurorisë ka qenë mbi 74 mijë euro.

Petrit Kryeziu, prokuror i rastit ka deklaruar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.

Ai  ka përmendur se dyshimi i bazuar rezulton edhe nga 21 prova të tjera personale dhe materiale.

Sipas Prokurorisë të pandehurit Shabani dhe Kabashi edhe në të kaluarën kanë rënë ndesh me ligjin ku nga data baza rezulton se ka dhe 5 raste të tjera, kurse për të dyshuarin Shabani tha se rezulton se ka një rast të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Në anën tjetër, paraburgimin e ka kundërshtuar mbrojtësi i të dyshuarit Kabashi, avokati Yll Kaçamaku.

Avokati ka cekur se kjo masë është e rëndë dhe ka propozuar që e njëjta të refuzohet.

Edhe i dyshuari Kabashi ka mbështetur fjalët e avokatit të tij, duke deklaruar se dokumentet paraqesin një situate krejt ndryshe.

“Nuk është ashtu siç po thotë prokurori sepse kemi dokumente që flasin ndryshe…”, ka cituar i dyshuari Kabashi.

Po ashtu, të njëjtën kërkesë e ka kundërshtuar edhe mbrojtësi i të dyshuarit Shabani, avokati Qazim Hasanaj.

Ai ka thënë se nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar se në veprimet e të mbrojturit të tij janë përmbushur elementet e veprës penale.

Me tutje avokati Hasani ka deklaruar se i dyshuari Shabani  nuk ka nënshkruar fatura dhe dokumentacionin sa i përket realizimit të punimeve sipas kontratës.

I njëjti ka kërkuar që paraburgimi t’i refuzohet në tërësi dhe t’i zëvendësohet me një masë tjetër alternative.

I dyshuari Shabani ka cituar se nuk ka kryer asnjë keqpërdorim.

“Ju betohem se për 6 vite të punës aktive, asnjë keqpërdorim nuk e kam bërë… lënda që lexoi prokuroi para meje është për keqardhje, përgjegjësia ime në këtë lëndë është zero, andaj çfarëdo mase që gjykata do ta caktojë unë do të pranoj, por jo paraburgimin”- citoi i pandehuri.

Lidhur me rastin në fjalë, Gjykatësja e çështjes Teuta Krusha do të vendos jashtë seancës.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabani dhe zyrtari komunal, Berat Kabashi i cili ka qenë menaxheri projektit, janë arrestuar të martën nga Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës dhe mashtrim në prokurim publik.

Të pandehurit sipas Prokurorisë dyshohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo persona të tjerë.

Në dosje tutje thuhet se të dyshuarit kanë përpiluar procesverbaleve, dhe situacione fiktive/rrejshme ku kanë konfirmuar kryerjen e punimeve sipas kontratës, ndërsa sipas gjendjes në terren kontrata nuk është realizuar.

“Të hollat janë paguar për operatorin ekonomik mirëpo rrugët nuk janë shtruar ashtu siç parashihet në kontratë, të njëjtit dyshohen se me veprimet e tyre i kanë mundësuar dobi pasurore personit tjetër -operatorit ekonomik dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës në vlerë prej 74,214,74 euro”- thuhet në aktvendimin e Prokurorisë së Prizrenit.

Të dyshuarit me vendim e prokurorit Petrit Kryeziu janë ndaluar në mbajtje për 48 orë ku dhe ndaj të njëjtëve po kërkohet caktimi i paraburgimit.

Ndërkaq, për këto pretendime, të mërkurën në një bisedë për KALLXO.com, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj konfirmoi se njëri nga të arrestuarit është drejtori i tij.

“Njëri prej të arrestuarve është drejtor i Shërbimeve Publike, tjetri është menaxher, punëtor në komunë” – tha Muharremaj.