Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prokurores i zvogëlohet paga për një vjet, nuk vlerësoi rrezikun dhe nuk ndërmori veprime në lidhje në rastin e vrasjes së Sebahate Sopit

Prokurorja Hava Krasniqi është dënuar me masë disiplinore nga Këshilli Prokurorial i Kosovës pasi që e njëjta është konstatuar se nuk kishte vepruar në bazë të udhëzimeve gjatë trajtimit të rastit të vrasjes së Sebahate Sopit nga ish-bashkëshorti i saj Lulzim Sopi. 

Sipas vendimit të KPK-së, Hava Krasniqi, prokurore në Prokurorinë Themelore të Prishtinës për një vjet do të paguhet me 30 për qind më pak.

Në dosje përshkruhen të gjitha veprimet të cilat prokurorja Krasniqi nuk i kishte kryer, këto që çuan në ndëshkim pas një hetimi që ishte ndërmarrë ndaj saj. 

Vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës mban datën e 26-qershorit ndërsa është publikuar si dokument pasi që edhe Gjykata Supreme më 1 gusht 2023 ka refuzuar ankesën e prokurores Krasniqi dhe ka vërtetuar vendimin e KPK-së. 

Më 28 mars të vitit 2023, ish-kryeprokuri në atë kohë Kujtim Munishi, pasi pranoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese kishte paraqitur një kërkesë për fillimin e hetimeve ndaj prokurores Hava Krasniqi. Kjo pasi e njëjta pretendohej se nuk kishte marrë veprimet e nevojshme për të trajtuar rastin fillimisht të dhunës në familje e më pas vrasjes së Sebahate Sopit nga bashkëshorti i saj Lulzim Sopi. 

Dosja e vendimit për prokuroren Krasniqi, thotë se e njëjta në atë kohë kishte qenë prokurore kujdestare dhe e njëjta gjatë dhënies së udhëzimeve nuk e ka vlerësuar si duhet rrezikshmërinë e situatës si dhe të kryesit të veprës penale me ç’ rast nuk ka ndërmarrë veprimet procedurale të cilat veprime është dashur të merren në mënyrë urgjente. 

Sipas dosjes së masës disiplinore, më 3 mars 2021, prokurorja Krasniqi kishte pranuar një njoftim nga Stacioni Policor në Graçanicë, se tani e ndjera Sebahate Sopi ishte sulmuar nga ish-bashkëshorti i saj Lulzim Sopi. Këtë të fundit prokurorja Krasniqi e kishte liruar në procedurë të rregullt edhe pse i njëjti në vazhdimësi ishte konstatuar se kishte ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij, Sebahate Sopi.

Më 21 qershor të vitit 2023, Këshilli Prokurorial kishte pranuar edhe dosjen nga paneli hetimor në të cilin ishte konstuar se prokurorja Krasniqi kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin për Përgjegjësine Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. 

Konkretisht, në dosjen hetimore pretendohet se prokurorja Krasniqi shkeli detyrat e prokurorit, deri sa në mënyrë të vazhdueshme nuk mori ndonjë veprim prokurorial që kërkohet me ligjin në fuqi ose nuk ushtroi funksionet prokuroriale brenda afateve kohore të parapara me ligj, përveç nëse serioziteti i mosveprimit apo niveli i shkeljes paraqet bazë për inicimin e procedurës disiplinore për një shkelje të vetme si dhe nuk kishte marrë parasysh të drejtat e dëshmitarëve ose palëve të dëmtuara, veçanërisht për të marrë masa për të mbrojtur jetën, sigurinë dhe privatësinë e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi. 

Këto dy pika të nenit 6 të Ligjit për Përgjëgjësinë Disiplinore janë vendosur në vendimin e panelit hetimor. 

Kjo pasi që prokurorja Krasniqi në atë kohë pretendohet se nuk kishte dhënë udhëzime me kohë si prokurore kujdestare, nuk kishte vlerësuar si duhet rrezikshmërinë e situatës si dhe të kryerësit të veprës penale edhe pse policia kishte marrë dëshminë e Sebahate Sopit e cila në dëshminë e saj kishte pohuar se në ditën kritike, derisa ishte në banesën e vajzës së saj, kishte shkuar ish-bashkëshorti Lulzim Sopi e kidhte goditur me grushta në fytyrë duke shtuar se kjo nuk ishte hera e parë që kishte probleme dhe nga koha kur janë divorcuar, kishin probleme të vazhdueshme duke i shkaktuar të ndjerës probleme psikologjike. 

Po ashtu dosja thotë se prokurorja Krasniqi nuk kishte vlerësuar dëshminë e dëshmitares M.S., e cila kishte deklaruar se ditën kritike përderisa ishte më nënën e saj, Lulzim Sopi, babai i dëshmitares kishte goditur nënën e saj, Sebahate Sopin në prezencë të saj dhe se e njëjta çdo ditë kishte presion nga ai. 

“Sipas Panelit Hetimor, përkundër dëshmive relevante për të ndërmarrë veprime urgjente për të parandaluar pasojat, subjekti i hetimit Prokurorja Hava Krasniqi ka neglizhuar me rastin në fjalë duke mos e ndaluar të dyshuarin L.S por duke kërkuar nga policia që të nesërmen të dëgjohet në cilëinë e të dyshuarit L.S dhe pas njoftimit nga policia se është dëgjuar edhe i dyshuari, prokurorja Krasniqi përsëri nuk ka arritur që ta vlerësoj rrezikshmërinë e këtij rasti por ka kërkuar që i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt”- thuhet në vendimin e KPK-së. 

Në vendimin për prokuroren Krasniqi, përmenden fakte e dëshmi të ndryshme të cilat ishin mbledhur gjatë kohës sa ishte bërë edhe hetimi për të njëjtën. 

Në dosje përmendet fakti se prokurorja Krasniqi nuk ka ndërmarrë veprimet procedurale që i takojnë si prokurore e që të njëjtat është dashur t’i ndërmarr në mënyrë urgjente për shkak se i dyshuari ishte recidivist i veprave penale dhe ka qenë i dënuar për dhunë në familje madje ka pasur edhe një vendim për urdhër mbrojtje. 

Prokurorja Krasniqi në ballafaqimin e saj në seancën disiplinore kishte thënë se në ditën kritike ajo nuk ishte në dijeni që i dyshuari kishte qenë recidivist, ka qenë në dijeni se kanë qenë të shkurorëzuar por nuk ka parë asnjë vendim në sistemin SMIL se viktima ka pasur edhe dhunë në familje. 

Vendimi i 26-qershorit nga ana e KPK-së për rastin disiplionor kundër prokurores Krasniqi është dërguar nga kjo e fundit edhe në Gjykatën Supreme. 

Më 26 qershor 2023, Gjykata Supreme kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e prokurores Hava Krasniqi ndërsa kishte vërtetuar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës. 

KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me rastin e vrasjes së Sebahate Morina-Sopi. 

Në një hulumtim që është publikuar në vitin 2021 nga KALLXO.com, ishin radhitur viktimat të cilat u vranë nga bashkëshortët e tyre ndërsa shteti kishte dështuar që t’i mbrojë ato. 

Një ndër rastet ishte edhe ai i Sebahate Morina-Sopit. 

Sebahate Sopi u vra nga bashkëshorti i saj, 11 ditë pasi ishte raportuar dhuna fizike ndaj saj në prokurori. 

Lulzim Sopi pas kryerjes së veprës penale kishte kryer edhe vetëvrasje. 

Vajza e të ndjerës Sebahate Morina, i është drejtuar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, me kërkesën me të cilën është propozuar të konstatohet se mosveprimet e autoriteteve shtetërore kanë shkelur të drejtën për jetën të garantuar me kushtetutë.

Dështimet e zinxhirit institucional në mbrojtjen e grave