ATK largon nga puna dy zyrtarë për mos respektim orarit të punës

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka larguar nga puna dy zyrtarë për mos respektim të orarit të punës.

Sipas një komunikate për media të ATK-së, janë shqiptuar masa disiplinore për tre zyrtarë pasi munguan në punë pa arsye mbi pesë ditë.

“Pas verifikimit të të gjitha fakteve dhe shterjes së të gjitha procedurave ligjore, Komisioni Disiplinorë në ATK me datë 12 gusht 2021 ka marrë vendim për shqiptimin e tri masave disiplinore ndaj tre zyrtarëve të ATK-së. Masat disiplinore janë shqiptuar në mungesa të paarsyeshme në punë mbi pesë (5) ditë”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këto shkelje, komisioni disiplinor ka vendosur që dy zyrtarëve tu shqiptohet masa largim nga shërbimi civil, ndërsa zyrtarit tjetër i është shqiptuar masa disiplinore, ndalim i ngritjes në detyrë, për shkelje të rëndë.

“Lidhur me shkeljet e rënda të konstatuar nga Komisioni Disiplinorë, dy zyrtarëve ju është shqiptuar masa disiplinore largimi nga Shërbimi Civil në përputhje me nenin 47, paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të Ligjit Nr. 06/114 për Zyrtarë Publikë. Ndërsa, zyrtarit tjetër ju është shqiptuar masa disiplinore për shkelje të rënda, ndalim i ngritjes në detyrë në përputhje me nenin 47, paragrafin 1, nën paragrafin 1.3 të ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik”, thuhet tutje në njoftim.