Protesta e 8 Marsit para ndërtesës së qeverisë kundër vrasjes së grave | Foto: KALLXO.com

Dështimet e zinxhirit institucional në mbrojtjen e grave

Raste të vrasjes së grave, dhunimeve, e dhunës ndaj grave nga burrat e ish-burrat e tyre, po ngrit shqetësime për përgjegjësinë e institucioneve në trajtim jo të duhur, e në anën tjetër vendosja e drejtësisë plotësisht në vend të saj po dështon.

 

Dhuna e vrasjet e grave gjatë këtij viti e kanë tronditur opinionin publik, duke treguar edhe njëherë neglizhencë në trajtimin e dhunës në familje fillimisht, e të cilat pastaj po dërgojnë edhe në raste fatale, të vrasjes së grave në Kosovë.

Në janar të këtij viti, një grua ishte vrarë në Llaushë të Skenderajt.

48-vjeçarja Lirije Qerimaj gjeti vdekjen nga arma, të cilën dyshohet se e kishte shkrepur bashkëshorti i saj, Skënder Qerimaj.

Viktima kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, por asaj nuk i ishte dhënë siguri. 5 ditë para vrasjes, Lirije Qerimaj e kishte raportuar rastin në polici.

Përkundër thirrjes së saj për mbrojtje, i dyshuari me vendim të prokurorit ishte liruar në procedurë të rregullt.

Detaje të reja që u zbuluan rreth incidentit tragjik në Llaushë të Skenderajt, e thelluan skandalin e trajtimit të këtij rasti nga institucionet tona.

Viktima e këtij rasti, Lirije Qerimaj, më 1 janar kishte kërkuar mbrojtje nga shteti pas dhunës nga burri i saj, ndërsa kërkesa për mbrojtje ishte dorëzuar në ditën kur ajo u vra, me 5 janar.

Rastin fillimisht e kishte lajmëruar djali i saj i cili kishte thënë se nëna e tij, Lirija, kishte pasur dhunë psikike nga babai i tij, Skender Qerimaj.

Lirije Qerimaj ishte lënë në një shtëpi me të burrin e saj, i cili dyshohet se kreu vrasjen më 5 janar dhe se të njëjtës nuk i është ofruar që të qëndrojë në një strehimore për shkak të dhunës psikike që kishte raportuar.

Lirije Qerimaj u vra para se të marrë urdhrin mbrojtjes ndërsa institucionet e përfshira në këtë rast nuk kanë pranuar deri më tani përgjegjësi se ku ka ngecur rasti.

Rasti është duke u hetuar, derisa është themeluar një komision hetimor për prokuroren që ka trajtuar fillimisht rastin, por ende nuk kemi prokuror apo zyrtar policor që është larguar nga puna për mënyrën se si është trajtuar ky rast.

Praktikat e deritanishme tregojnë se shteti nuk po arrinë të mbrojë jetën e grave, edhe përkundër thirrjeve të tyre të vazhdueshme për mbrojtje.

Një tjetër rast që tronditi opinionin publik është vrasja e 18 vjeçares Marigona Osmani. Ajo dyshohet se u vra nga partneri i saj.

Hetimet deri tani thonë se 18 vjeçarja u keqtrajtua për dy ditë deri në vdekje, ndërsa u la në Spitalin e Ferizajt pa shenja jete.

Njëri prej të dyshuarve për vrasjen e saj, ishte lënë pa një vendim meritor nga gjykata, për 6 vite duke mos u trajtuar si duhet rastet e tij gjyqësore edhe pse ndaj tij ishte ngritur një aktakuzë për tentimvrasje.

E sa ishte në liri, ndodhi vrasja e 18 vjeçares, për të cilën ekziston dyshimi se u keqtrajtua deri në vdekje.

Përkundër që afër 6 vite pa seanca gjyqësore, e i pandehuri në liri për akuzën e tentim vrasjes, gjyqtarët e ngarkuar me rast vazhdojnë të ndajnë drejtësinë në sistemin gjyqësor, duke mos u përballur me pasojat për neglizhencë të një të dyshuari që kishte qenë i akuzuar për disa raste të veprave penale.

Të dyshuarit, Dardan Kriqeva e Arbër Sejdiu janë duke u mbajtur në paraburgim për vrasjen e Marigona Osmanit.

Në anën tjetër një hulumtim i KALLXO.com tregon domosdoshmërinë e hetimit penal për një vendim të dhunimit të një vajze 15 vjeçare.

Në janar të vitit 2012 një vajzë e mitur 15 vjeçare ishte përdhunuar në një shtëpi të pabanuar në Komunën e Gjakovës.

Duke dalë nga spitali, e re dhe e pambrojtur, ishte ndalë papritmas nga dy persona të cilët nën kanosjen e thikës e kishin marrë dhe dërguar në atë shtëpi.

Ajo ishte dhunuar gjatë tërë natës, dhe sikur të mos mjaftonte për dhunim ishte ftuar edhe një person tjetër i mitur.

9 vite më vonë, për këtë akt përdhunimi seksual u ngritën dyshime të mëdha mbi një gjyqtare dhe prokurore për mënyrën e gjykimit të këtij rasti.

I akuzuari, i cili kur kishte ndodhur përdhunimi ishte 21 vjeçar, u dënua nga gjykata me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim.

Kërkimi i përgjegjësisë për gjyqtaren e prokuroren e rastit erdhi vetëm pas publikimit të këtij hulumtimi në KALLXO.com.

KALLXO.com kishte raportuar se për një vepër penale që ligji parasheh dënimin nga 5 deri në 20 vjet burgim, të akuzuarit i ishin shqiptuar vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim.

Ndërsa deri të suspendimi i gjyqtares së këtij rasti, erdhi pas kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme të opinionit publik.

Pak ditë më vonë Gjykata Supreme e kishte konfirmuar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) për suspendimin e gjykatëses Florije Zatriqi, duke refuzuar kështu ankesën e kësaj të fundit, të cilën e ka vlerësuar të pabazuar.

E prokurorja e rastit që nuk kishte ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi është pensionuar, ndërsa ndaj saj është iniciuar një procedure disiplinore.

KALLXO.com ka publikuar shumë shkrime për dhunën që ushtrohet ndaj vajzave e grave nga burrat e ish-burrat e tyre.

Dështimin e shtetit për mbrojtjen e jetës së gruas, gjejmë edhe te rasti i Diana Kastratit.

Diana Kastrati u vra më 18 maj të vitit 2011, në rrugë në afërsi të shtëpisë së saj në Prishtinë, nga ish-partneri i saj, me të cilin bashkëjetonte për më shumë se 10 vjet. Ata së bashku kishin një vajzë, por nuk kishin kurorë formale martesore.

Tri javë para se të vritej, ajo kishte dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Komunale në Prishtinë, për urdhër të mbrojtjes emergjente, por gjykata nuk kishte vepruar.

Ndërsa vetëm pas 8 vjet, një muaj e 16 ditë që nga vrasja mizore e Diana Kastratit, Gjykata e Prizrenit ka marrë vendim që prindërve të Dianës, Gëzim e Makfire Kastrati, t’u kompensohet dëmi për vuajtjen që kanë përjetuar me rastin e humbjes së vajzës së tyre, vrasje e cila besohet se erdhi si rezultat i dështimit të drejtësisë kosovare që të përmbushin detyrimin e tyre ligjor në mbrojtjen të raportueses/viktimës.

Rast tjetër ku një grua u vra nga bashkëshorti i saj, ai i Zejnepe Berishës përfundoi me rritjen e dënimit vetëm pas protestave dhe presionit publik.

Nebih Berisha, akuzohej se për arsye xhelozie, kishte vrarë bashkëshorten e tij, Zejnepen, duke e goditur me thikë 21 herë.

Reagime të shumta për vrasjen e Zejnepe Berishës ishin drejtuar drejt Policisë nën dyshimin se kishin neglizhuar thirrjet e viktimës për mbrojtje, në disa raste të mëhershme të dhunës në familje. Mirëpo, ai përsëri ishte lënë liri.

Neglizhenca e sistemit të drejtësisë vihet në pah edhe në rastin e vrasjes së Valbona Ndrecajt dhe vajzës së saj, që u qëlluan për vdekje nga bashkëshorti i Valbonës.

Për ngjarjen tragjike në Gjakovë ishin raportuar dyshime të forta se policia nuk e kishte kryer punën siç duhej, duke mos u përgjigjur thirrjeve për mbrojtje të Valbonës.

Ndaj policëve ishte dorëzuar kallëzim penal në prokurori, nën dyshimin se e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, e prokuroria pas hetimeve kishte mbyllur dosjen ndaj tyre, me arsyetimin se ne veprimet e policëve nuk ka elemente të veprës penale.

Të dhënat e siguruara nga KALLXO.com tregonin se çifti kishin probleme në të kaluarën.

Një rast tjetër ku një grua u vra në mënyrë mizore kishte ndodhur në Kamenicë, e ku edhe në këtë rast akuzohej bashkëshorti i saj, Nuhi Mavrovqani.

Nuhi Mavrovqani e kishte goditur bashkëshorten e tij me shufër metalike fillimisht në anën e majtë të kokës, duke e rrëzuar në tokë, ndërsa kishte vazhduar duke e goditur në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, po ashtu me shufër metalike, duke i shkaktuar vdekjen.

KALLXO.com kishte gjetur se i akuzuari ka pasur disa raste të dhunës në familje, e për të cilat ishte dënuar edhe nga gjykata.

Shteti kishte dështuar ta mbrojë jetën e gruas, edhe në rastin e Sebahate Morina.

11 ditë pasi ishte raportuar dhuna ndaj saj në prokuroi, Sebahte Sopi ishe vrarë nga bashkëshorti i saj, i cili pastaj kishte kryer vetëvrasje.

Vajza e të ndjerës Sebahate Morina Sopi, i është drejtuar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, me kërkesën me të cilën është propozuar të konstatohet se mosveprimet e autoriteteve shtetërore kanë shkelur të drejtën për jetën të garantuar me kushtetutë.

E proceset e monitoruara gjyqësore tregojnë që rasteve të dhunës ndaj grave nuk iu kushtohet kujdesi maksimal.

KALLXO.com përmes një hulumtimi ka gjetur se në Gjykatën e Pejës, një i dyshuar për dhunë në familje ishte liruar nga ndalimi policor, pasi që gjykata nuk kishte caktuar brenda afatit ligjor seancë për shqyrtim të kërkesës së paraburgimit.

Në këto rrethana i dyshuari ishte lënë në liri, pa u shqyrtuar fare kërkesa e prokurorisë për masën e paraburgimit.

“Një shoqëri ku të gjithë janë të sigurt dhe të barabartë, jetojnë pa frikën apo kërcënimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, ku qëllim është të parandalohet dhe mostolerohet dhuna, të mbrohet, riintegrohet dhe fuqizohet viktima, si dhe të vendoset kryerësi para përgjegjësisë”-  është vizioni i Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022 – 2026.

Në një pjesë të strategjisë sipas studimeve të kryera në Kosovë, në vitet e fundit, një vëmendje e shtuar i është kushtuar femicidit, në kontekstin e dhunës në familje, për vetë faktin se nga viti 2017 deri në vitin 2020, të paktën 74 gra janë vrarë në Kosovë.

Strategjia përmban veprime dhe masa që synojnë të avancojnë më tej arritjet nga vlerësimi i zbatimit të strategjisë së mëparshme, por edhe të sigurojnë mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave.